Fatmir Olluri, 52 vjeç, nga Dobraja e Madhe e Lipjanit dhe ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka vdekur pasi ishte plagosur me armë zjarri.
Të lidhura
None found
Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e 4 gushtit në Lipjan. Sipas Policisë së Kosovës, Olluri u gjet i plagosur dhe u transportua për trajtim në QKUK. Në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi një pistoletë bashkë me dy fishekë.
Policia bëri të ditur se më 5 gusht, rreth orës 18:45, 52-vjeçari humbi jetën si pasojë e plagëve. Me vendim të prokurorisë, trupi i tij u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Rasti po trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”.
Vdekja e Fatmir Ollurit ka shkaktuar reagime të shumta. Përmes kryetarit Shukri Buja, Dega e PDK-së në Lipjan i shprehu ngushëllime familjes Olluri, duke theksuar se ai ishte kthyer vullnetarisht nga Gjermania për t’iu bashkuar UÇK-së gjatë luftës çlirimtare dhe se më pas kishte vijuar angazhimin në jetën publike.
