Përballë intensifikimit të goditjeve ruse me raketa balistike dhe pakësimit të interceptorëve Patriot, NATO po përpiqet t’i sigurojë Ukrainës kapacitetet e mbrojtjes ajrore për të cilat vendi ka “nevojë urgjente”.
Të lidhura
None found
Kreu i NATO-s bëri të ditur se vendet aleate po angazhohen për të përforcuar mbrojtjen ukrainase. Në të njëjtën kohë, presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi se, para ardhjes së dimrit, Rusia po përgatitet ta zgjerojë ndjeshëm prodhimin e raketave.
Alarmi pasoi sulmin rus të kryer gjatë natës të së mërkurës, kur Moska hodhi 24 raketa balistike mbi Ukrainë. Forcat ajrore ukrainase raportuan se dhjetëra dronë u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes, por asnjëra prej raketave balistike nuk u interceptua.
Zelensky u kërkoi partnerëve perëndimorë të shtojnë dërgesat e raketave interceptuese Patriot. Këto sisteme janë ndër të paktat që mund të neutralizojnë raketa ruse të llojeve Iskander-M, S-400 dhe Zircon.
Sipas presidentit ukrainas, aleatët po furnizojnë shumë më pak raketa të mbrojtjes ajrore sesa vitin e kaluar. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se gjatë dimrit Rusia mund të ndërmarrë një valë të re goditjesh kundër infrastrukturës energjetike.
Këshilltarët ukrainas për teknologjinë e mbrojtjes vlerësojnë se kapaciteti rus i prodhimit mund të arrijë deri në 100 raketa balistike çdo muaj. Ato mund të drejtohen ndaj qendrave logjistike, impianteve industriale dhe infrastrukturës kritike.
Deficiti i raketave Patriot është thelluar pasi një sasi e madhe interceptorësh u përdor gjatë konfliktit SHBA-Izrael me Iranin. Prodhimi i njësive të reja kërkon kohë, ndaj nuk parashikohet që mungesa e tanishme të zgjidhet menjëherë.
NATO njoftoi se në muajt e ardhshëm pritet të nisë punën në Gjermani objekti i parë në Evropë për prodhimin e raketave Patriot. Paralelisht, SHBA dhe Ukraina po shqyrtojnë mundësinë që, në të ardhmen, Kievi të prodhojë vetë disa prej komponentëve të këtyre sistemeve.
