Shpërthimi brenda një veture në Gjilan la të lënduar dy persona, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Të lidhura
None found
Shefi i Mjekimit Intensiv Qendror, Shaqir Uka, ka dhënë informacione për gjendjen e 40-vjeçarit, duke konfirmuar se ajo vazhdon të jetë e rëndë.
Sipas Ukës, pacienti është transportuar mbrëmë nga Spitali Rajonal i Gjilanit në Qendrën Emergjente, pasi kishte pësuar dëmtime nga një mjet eksploziv. Atje iu kryen ekzaminime radiologjike dhe laboratorike, ndërsa për shkak të gjendjes së rënduar dhe shokut hemorragjik iu nënshtrua menjëherë një operacioni urgjent.
Pas ndërhyrjes, 40-vjeçari u dërgua në Njësinë e Mjekimit Intensiv për trajtim të mëtejshëm. Uka bëri të ditur se dëmtimet më të rënda janë në ekstremitetet e poshtme, ndërsa pacienti aktualisht mbahet i sedatuar dhe i lidhur me aparaturë mbështetëse mjekësore.
Për këtë rast ka folur edhe drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla. Ai deklaroi se pacienti u soll nga Spitali Rajonal i Gjilanit në gjendje të rëndë dhe, pas ekzaminimeve në Qendrën Emergjente, u dërgua në sallën e operacionit për një ndërhyrje urgjente.
Syla shtoi se, pas përfundimit të operacionit, pacienti u transferua në Mjekimin Intensiv Qendror (MIQ), ku po vijon trajtimin, ndërsa gjendja e tij vazhdon të mbetet e rëndë.
