Eric P. Wendt ka marrë miratimin e Senatit të Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si ambasador amerikan në Shqipëri, duke iu afruar kështu emërimit zyrtar në Tiranë.
Në seancën plenare, kandidatura e tij siguroi 50 vota pro dhe 44 kundër. Wendt kishte marrë më parë edhe mbështetjen e Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Të lidhura
None found
Përmbyllja e procedurës kërkon tashmë nënshkrimin e Presidentit amerikan Donald Trump, që përbën hapin përfundimtar për zyrtarizimin e tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
Pasi të plotësohen të gjitha procedurat, Wendt pritet të mbërrijë në Tiranë. Ai do ta marrë zyrtarisht detyrën pas paraqitjes së letrave kredenciale te Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Në këtë post, Eric Wendt do të pasojë Yuri Kim, mandati i së cilës si ambasadore në Shqipëri përfundoi në vitin 2023. Prej asaj kohe, drejtimi i Ambasadës amerikane në Tiranë u është besuar të ngarkuarve me punë, ndërsa emërimi i ambasadorit të ri u vonua për shkak të procedurave të konfirmimit në Senat.
Kush është Eric P. Wendt?
Wendt është ish-oficer i lartë i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara dhe numëron më shumë se tri dekada shërbim ushtarak. Pjesën dërrmuese të karrierës e ka kaluar në radhët e forcave speciale amerikane “Green Beret”.
Mes detyrave të tij përfshihet drejtimi i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s. Ai ka ushtruar gjithashtu funksione të rëndësishme në sektorin e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Paqësorit.
Nga viti 2017 deri në vitin 2019, Wendt shërbeu si koordinator i sigurisë së SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez. Në karrierën e tij ka qenë edhe shef shtabi në Komandën e Paqësorit të Shteteve të Bashkuara.
Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, ndërsa studimet pasuniversitare për sigurinë kombëtare i ka kryer në Naval Postgraduate School. Wendt zotëron disa gjuhë të huaja, mes tyre arabishten dhe koreanishten.
Kjo nuk është hera e parë që emri i tij propozohet për një detyrë ambasadoriale. Në mandatin e parë të Donald Trump, Wendt u nominua për ambasador në Katar, por Senati amerikan nuk e finalizoi kandidaturën.
