Apple ka bërë të ditur një skemë të re leasing-u, përmes së cilës klientët mund të përdorin iPhone, Mac dhe produkte të tjera të kompanisë kundrejt pagesave mujore, pa i blerë menjëherë. Nisma lançohet në një periudhë kur pajisjet elektronike po kushtojnë më shumë dhe konsumatorët po i zgjasin ciklet e përdorimit të telefonave.
Të lidhura
None found
Në Shtetet e Bashkuara, shërbimi nis të martën dhe do të funksionojë në partneritet me platformën e pagesave Klarna. Klientët do të mund ta përdorin atë në dyqanet e Apple, në faqen zyrtare të kompanisë dhe përmes aplikacionit Apple Store.
Afatet e kontratave ndryshojnë sipas produktit. iPhone dhe Apple Watch do të ofrohen me marrëveshje 12 ose 24-mujore, ndërsa për Mac dhe iPad do të ketë mundësi leasing-u për 24 ose 36 muaj.
Oferta përfshin pajisjet më të fundit të Apple, mes tyre iPhone 17, iPhone Air, Apple Watch Series 11, Apple Watch Ultra 3, MacBook Air, MacBook Pro, iMac, Mac Studio, iPad Air, iPad Pro dhe iPad Mini. Jashtë programit kanë mbetur modelet më të përballueshme, si iPhone 16, MacBook Neo, iPad bazë dhe Apple Watch SE.
Sipas Apple, kjo nismë merr vendin e iPhone Upgrade Program. Ndryshe nga skema e mëparshme, ajo shtrihet edhe te produkte të tjera të kompanisë dhe u jep përdoruesve më shumë alternativa për pagesën me këste.
Pagesa mujore më e ulët për një iPhone përmes leasing-ut është 17.99 dollarë. Në krahasim, programi i mëparshëm për përmirësimin e iPhone-ve kishte një tarifë fillestare prej rreth 42 dollarësh në muaj.
Analistët e industrisë e shohin këtë hap si një përpjekje për ta afruar përdorimin e pajisjeve Apple me modelin e abonimit mujor. Ky ndryshim vjen ndërsa çmimet në rritje po i bëjnë blerësit të presin më gjatë për të ndërruar telefonat.
Shërbimi po prezantohet vetëm disa javë para lançimit të gjeneratës së re të iPhone-ve. Në këtë event, Apple pritet të zbulojë edhe modelin e parë të saj me ekran të palosshëm, i cili, sipas raportimeve, mund të jetë pajisja më e shtrenjtë e prodhuar ndonjëherë nga kompania.
