Afro tre mijë vjet pas krijimit të “Odisesë”, parimi i lashtë që lidhet me mikpritjen, respektin dhe drejtësinë vazhdon të përcjellë një mesazh të fuqishëm për shoqërinë moderne.
Të lidhura
None found
Në epin e njohur të Homerit përmendet i ashtuquajturi “Ligji i Zeusit”, një rregull me rëndësi të veçantë në Greqinë e lashtë. Besohej se kushdo që e shkelte atë rrezikonte të ndëshkohej drejtpërdrejt nga perënditë.
Ky parim është edhe në qendër të filmit të ri “Odisea” nga regjisori Christopher Nolan. Sipas tij, prapa një pjese të madhe të ngjarjeve të veprës qëndron një ide e thjeshtë, por thelbësore: të huajt duhen trajtuar me respekt.
Çfarë përfaqësonte “Ligji i Zeusit”?
“Ligji i Zeusit” nuk ishte një ligj i shkruar në kode juridike, siç ndodh sot. Ai përbëhej nga norma morale që besohej se mbroheshin nga Zeusi, perëndia supreme e grekëve, dhe rregullonte mikpritjen, drejtësinë, respektimin e betimeve dhe marrëdhëniet me njerëzit e panjohur.
Në themel të tij qëndronte “ksenia”, një parim i shenjtë që e detyronte nikoqirin t’i siguronte mysafirit ushqim, strehë dhe mbrojtje, pa marrë parasysh identitetin ose prejardhjen e tij.
Në një intervistë për “Los Angeles Times”, Christopher Nolan ka thënë se kuptimi i këtij parimi është i ngjashëm me atë që sot njihet si “rregulli i artë”.
Sipas Nolanit, njeriu duhet t’i trajtojë të tjerët në të njëjtën mënyrë siç dëshiron të trajtohet prej tyre. Arsyeja ishte pjesërisht besimi se pas pamjes së një njeriu të zakonshëm mund të fshihej një perëndi, por edhe nevoja që shoqëria të funksiononte. Njerëzit duhej të udhëtonin e të tregtonin dhe, në shumë raste, mbështeteshin te mirësia e personave krejtësisht të panjohur, ka deklaruar regjisori, transmeton Telegrafi.
Detyrime kishte edhe mysafiri
“Ksenia” nuk vendoste përgjegjësi vetëm mbi nikoqirin, ndonëse ky aspekt nuk njihet nga shumë njerëz. Edhe personi që pranohej si mysafir duhej të respektonte disa rregulla.
Qëndrimi përtej kohës së hijshme, mungesa e respektit ndaj nikoqirit ose shpërdorimi i mikpritjes cilësoheshin si cenim i një norme të shenjtë, për të cilin mysafiri meritonte dënim.
Nolan ka shpjeguar se abuzimi me këtë parim sillte pasoja të tmerrshme, ndërsa çdo akt hakmarrjeje kishte koston e vet dhe dhuna përbënte shfaqjen më të drejtpërdrejtë të saj.
Për këtë arsye, një pjesë e madhe e episodeve të “Odisesë” zhvillohen si rrjedhojë e zbatimit ose e shkeljes së këtij ligji të lashtë.
Menelau si shembull i mikpritësit ideal
Mbreti Menelau përbën një prej rasteve më të qarta të respektimit të “ksenisë”.
Gjatë kërkimit të të dhënave për të atin, Odiseun, Telemaku shkon në Spartë. Menelau e mirëpret me nderim, i shtron ushqim, i jep informacione me vlerë dhe, kur ai largohet, e përcjell me dhurata.
Për grekët e botës së lashtë, kjo mënyrë e trajtimit të një mysafiri përfaqësonte modelin ideal që duhej ndjekur.
Çmimi i rëndë që pagoi ciklopi Polifem
Në skajin e kundërt gjendet Polifemi, i cili paraqitet si një nga shembujt negativë më të njohur të gjithë rrëfimit.
Ciklopi nuk u ofron mikpritje udhëtarëve që futen në shpellën e tij, por i sulmon dhe i ha ata. Veprimi i tij konsiderohej ndër cenimet më të rënda të “Ligjit të Zeusit”.
Pasojat janë të menjëhershme dhe brutale: Odiseu e verbon Polifemin. As prejardhja e tij si bir i Poseidonit nuk arrin ta mbrojë nga ndëshkimi.
Një bari i zakonshëm derrash i dha strehë Odiseut
Respektimi i këtij rregulli shfaqet edhe te Eumeu, bariu i thjeshtë i derrave. Pas udhëtimeve të gjata, Odiseu kthehet në shtëpi i maskuar si lypës dhe pranohet prej tij.
Megjithëse nuk e njeh identitetin e vërtetë të të ardhurit, Eumeu kujdeset për të, i jep ushqim dhe strehim, pa kërkuar asgjë si shpërblim.
Kjo sjellje e rendit Eumeun mes figurave më të ndershme dhe më fisnike të eposit.
Faj kishin edhe ata që priteshin si mysafirë
Përmes “Odisesë” bëhet e qartë se barra e përgjegjësisë nuk u takonte vetëm nikoqirëve.
Shokët e Odiseut, pasi mbërrijnë në ishullin e magjistares Kirke, presin të mirëpriten, por më pas abuzojnë me mikpritjen. Ata konsumojnë ushqim dhe pije pa masë dhe nuk tregojnë respektin e kërkuar.
Si dënim, Kirke i kthen ata në derra, në një episod që është bërë ndër skenat më të famshme të mitologjisë greke.
Një parim mijëravjeçar me domethënie edhe sot
Që në nisje të rrëfimit gjendet një nga ilustrimet më kuptimplota të “Ligjit të Zeusit”. Telemaku hap dyert e shtëpisë për një udhëtar që nuk e njeh, i shërben ushqim dhe vetëm pasi e ka mirëpritur interesohet për identitetin e tij.
Më pas mësohet se personi i panjohur ishte perëndesha Atena, e cila kishte marrë pamjen e një njeriu të zakonshëm.
Kjo e bën mesazhin e “Odisesë” të kuptueshëm edhe në kohët e sotme: askush nuk mund ta dijë me siguri se cilin ka përballë, prandaj respektimi i të panjohurit shkon përtej mirësjelljes së zakonshme.
Në Greqinë e lashtë, ky parim nuk shihej thjesht si normë e sjelljes së mirë. Ai përcaktonte se cilët njerëz do të fitonin favorin e perëndive dhe cilët do të përballeshin me ndëshkimin e tyre.
