Analisti Ergys Mërtiri, gjatë një interviste në studion e News24, shqyrtoi zhvillimet politike në vend. Në analizën e tij, ai u përqendrua te reforma e re territoriale që synon qeveria, protestat, skandalet e njëpasnjëshme dhe veprimet e SPAK.
Sipas Mërtirit, ekzekutivi po përballet me një situatë gjithnjë e më të vështirë për shkak të çështjeve penale që janë ende nën hetim. Ai deklaroi se SPAK ka hapur shumë dosje dhe se qeveria e ka humbur legjitimitetin, duke e bërë mbijetesën e saj gjithnjë e më të vështirë.
Të lidhura
None found
“SPAK ka shumë çështje në proces hetimi dhe do të përballet me një qeveri që nuk gëzon më legjitimitet. Për ekzekutivin do të bëhet vazhdimisht më e vështirë të mbijetojë”, u shpreh analisti.
Duke iu referuar ndryshimeve të parashikuara në ndarjen administrative, Mërtiri tha se kryeministri synon ta centralizojë pushtetin vendor për ta pasur atë tërësisht nën kontroll.
“Rama synon ta përqendrojë pushtetin vendor në pak duar. Ai kërkon një numër më të vogël bashkish, në mënyrë që të kontrollojë më pak njerëz dhe ta ketë më të lehtë”, deklaroi Mërtiri.
Analisti parashikoi gjithashtu një përshkallëzim të ndjeshëm të krizës politike gjatë shtatorit. Sipas tij, rikthimi i studentëve dhe shtimi i gjallërisë në Tiranë do të rrisin pjesëmarrjen në protesta dhe do t’ia vështirësojnë qeverisë menaxhimin e situatës.
“Besoj se në shtator protestat do të kenë pjesëmarrje edhe më të lartë, pasi Tirana do të jetë më aktive dhe studentët do të jenë rikthyer. Kjo do ta bëjë situatën të vështirë për t’u administruar nga qeveria. Ndërkohë, kjo qeveri nuk mund të qëndrojë pa skandale dhe çdo skandal i ri që mund të shpërthejë do të çojë turma njerëzish në sheshe”, tha ai.
Në vlerësimin e Mërtirit, goditjet ndaj ekzekutivit mund ta forcojnë reagimin qytetar, ndërsa njëkohësisht mund të nxisin kundërshti edhe brenda radhëve të maxhorancës.
“Me çdo goditje që merr qeveria, zërat kundër Edi Ramës do të marrin më shumë kurajë. Madje, mund të shfaqen kundërshtime edhe nga brenda vetë PS, ashtu siç kemi parë deri tani”, përfundoi Mërtiri.
