Mbështetja për inteligjencën artificiale duket se po dobësohet, pasi shqetësimet për privatësinë, sigurinë, humbjen e vendeve të punës dhe chatbotët rebelë po shtohen. Edhe përdoruesit që e kanë përkrahur këtë teknologji kanë nisur ta çaktivizojnë ose ta reduktojnë përdorimin e saj.
Të lidhura
None found
Një sondazh i zhvilluar nga dy organizata të sektorit teknologjik në Mbretërinë e Bashkuar tregon se 42% e të anketuarve tashmë po përpiqen ta “kufizojnë” përdorimin e chatbotëve. Ndërkohë, mbi gjysma e pjesëmarrësve e cilësojnë inteligjencën artificiale si një teknologji tepër të rrezikshme.
“Njerëzit po reagojnë kundër inteligjencës artificiale”, deklaruan studiuesit e Institutit të Ardhmërive Digjitale të King’s College London (KCL) dhe Responsible AI UK në raportin ku paraqiten rezultatet e sondazhit.
Studimi përfshiu më shumë se 2.000 banorë të Mbretërisë së Bashkuar. Sipas të dhënave, përqindja e personave që besojnë se inteligjenca artificiale sjell “më shumë rreziqe sesa përfitime” u rrit me katër pikë përqindjeje, duke arritur në 52%. Në të kundërt, numri i optimistëve ra në 34%.
Shqetësimi kryesor që i shtyn njerëzit të pakësojnë përdorimin e chatbotëve lidhet me privatësinë e të dhënave, sigurinë dhe respektimin e rregullave. Arsyeja e dytë më e përmendur është dëshira për të vazhduar kryerjen e detyrave me metodat e përdorura deri tani, bëri të ditur KCL në një njoftim për shtyp.
Një tjetër problem i evidentuar është ndjesia se shmangia e inteligjencës artificiale po bëhet gjithnjë e më e pamundur. Shumë prej të anketuarve e shohin si shqetësuese faktin që mund të detyrohen të përdorin chatbotë, edhe kur nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë.
“Shumica e njerëzve mendojnë se do ta kishin të vështirë ose të pamundur të shmangnin kontaktin me inteligjencën artificiale edhe nëse do të donin. Kjo ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si njerëzit mund të japin pëlqim në mënyrë kuptimplotë për përdorimin e saj në shoqërinë e sotme”, thanë studiuesit.
Presioni ndaj punonjësve për të dëshmuar se jo vetëm e njohin, por edhe dinë ta përdorin inteligjencën artificiale për të fituar ose ruajtur vendin e punës është në rritje. Megjithatë, ekipi që kreu sondazhin theksoi se ata që zgjedhin të mos përdorin chatbotë nuk e bëjnë këtë për shkak të mungesës së aftësive të nevojshme.
Gjetjet e sondazhit mund të duken të papritura në drejtuesit e kompanive të mëdha teknologjike, veçanërisht në një periudhë kur tregjet e aksioneve po nxiten nga investimet dhe pritshmëritë rreth inteligjencës artificiale.
Jack Stilgoe nga University College London tha se kompanitë që ofrojnë teknologji të reja shpesh besojnë se njerëzit më të familjarizuar me to do të jenë edhe më të prirë t’i pëlqejnë.
“Gjetjet tona tregojnë se kjo nuk është e vërtetë”, u shpreh ai, duke shtuar se “njerëzit po bëhen më të shqetësuar për inteligjencën artificiale me kalimin e kohës dhe madje edhe përdoruesit më të shpeshtë kanë qëndrime të përziera”.
Sipas Kate Devlin nga KCL, njerëzit duhet të kenë mundësi reale për të dhënë pëlqimin e tyre lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale. Kjo, sipas saj, nënkupton të drejtën për të vendosur se kur përdoret teknologjia, mënyrën se si ajo ndërvepron me ta dhe mundësinë për ta refuzuar atë kur kjo është e rëndësishme./DPA News
