Jeta si beqar nuk përbën medoemos një mangësi. Përkundrazi, disa kërkime ndërkombëtare tregojnë se personat “single” mund të kenë avantazhe në shëndet, karrierë dhe marrëdhënie shoqërore.
Të lidhura
None found
Studiuesit e Universitetit të Bazelit në Zvicër vlerësojnë se beqarët kanë një sërë arsyesh për ta parë pozitivisht mënyrën e tyre të jetesës. Në përfundime të ngjashme kanë dalë edhe ekspertët e “Max Planck Institute for Human Development”. Sipas tyre, personat beqarë kanë mesatarisht rreth dy kilogramë më pak peshë se bashkëmoshatarët e martuar, ndonëse këta të fundit zakonisht ushqehen në mënyrë më të shëndetshme.
Revista “Social Science & Medicine” ka publikuar një tjetër studim, sipas të cilit ndryshimi në peshë vihet re më shumë te meshkujt dhe lidhet kryesisht me përgjegjësitë e prindërimit.
Avantazhet e të qenit beqar nuk kufizohen vetëm te pesha. Një kërkim i Universitetit të Kalifornisë tregon se personat “single” shfaqin më shumë pavarësi, ndihen më të sigurt gjatë vendimmarrjes dhe përballen me më pak emocione negative. Këta faktorë mund të japin ndikim pozitiv edhe në ecurinë profesionale.
Sipas studiuesve, koha e kaluar vetëm mund të nxisë krijimtarinë, produktivitetin dhe efektivitetin në punë, për sa kohë që vetmia nuk përjetohet përmes ndjenjave negative.
Personat beqarë kanë gjithashtu prirjen të krijojnë një rreth shoqëror më të gjerë dhe t’u kushtojnë më shumë vëmendje miqësive të afërta.
Edhe forma fizike mund të përfitojë nga jeta si beqar. Një studim i botuar në revistën “Journal of Marriage and Family” sugjeron se personat e pamartuar mund ta ruajnë atë më mirë sesa ata që janë të martuar.
