Ferran Torres ka rihapur diskutimet për të ardhmen e tij, pasi gjatë një interviste të fundit nuk e mohoi mundësinë që të transferohet te Paris Saint-Germain.
Të lidhura
None found
26-vjeçari spanjoll, emri i të cilit është lidhur vazhdimisht me kampionët e Francës gjatë kësaj vere, zgjodhi të tregohej i rezervuar, por nënvizoi se në futboll situatat mund të ndryshojnë shumë shpejt.
“Në futboll gjithçka mund të ndryshojë brenda një minute. Nuk i dihet kurrë”, u shpreh fillimisht Torres për CNN.
Kur u pyet më tej, sulmuesi deklaroi: “Duhet të jem gati për gjithçka”. Kjo përgjigje është parë si një tregues se ai nuk e përjashton një kapitull të ri larg Barcelonës.
Paris Saint-Germain po e ndjek me vëmendje situatën e lojtarit, ndërsa klubi francez e konsideron Torresin një alternativë të rëndësishme për të forcuar sulmin.
Marrëveshja e tij me Barcelonën është e vlefshme deri në verën e vitit 2027. Megjithatë, bisedimet për zgjatjen e kontratës nuk kanë nisur ende, pasi Torres ndodhet me pushime pas angazhimit me Spanjën në Kupën e Botës.
Pas rikthimit të tij në Barcelonë pritet të zhvillohen bisedime mes klubit dhe përfaqësuesve të futbollistit për të përcaktuar të ardhmen e tij. Ndërkohë, interesimi i PSG-së mund të ndikojë në zhvillimet e javëve të fundit të afatit kalimtar.
