Po transportonte 12 sirianë me fugon, arrestohet 42-vjeçari në Vlorë (VIDEO)

Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Sektorin e Qarkullimit Rrugor në DVP Vlorë, pas informacioneve të marra në rrugë operative, zhvilluan dhe finalizuan operacion policor të koduar “BYPASS”, në kuadër të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:  E. Q., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas është kapur në kushtet e flagrancës, nga shërbimet e Policisë, në afërsi të “Rrethrrotullimit të Orikumit”, duke transportuar me automjetin tip “Benz”, 12 emigrantë të paligjshëm (sirianë), kundrejt shpërblimit monetar, drejt qytetit të Tiranës, me qëllim kalimin e tyre drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Vijon puna hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, me qellim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”./albeu.com


Shtuar 29.07.2021 11:37