Në ditët e nxehta të verës, organizmit i duhen më shumë lëngje. Krahas konsumimit të ujit, edhe disa lloje ushqimesh mund të japin një ndihmesë të rëndësishme për hidratimin.
Të lidhura
None found
Frutat dhe perimet me sasi të lartë uji ndihmojnë në rikthimin e lëngjeve të humbura. Në të njëjtën kohë, ato e furnizojnë trupin me vitamina, minerale dhe përbërës të tjerë ushqyes që nevojiten për funksionimin e tij normal, shkruan vizionplus.tv, transmeton klankosova.tv.
Sipas ekspertëve, ruajtja e hidratimit të duhur gjatë motit të nxehtë përmirëson punën e përgjithshme të organizmit, ndihmon në kontrollimin e temperaturës trupore dhe ul mundësinë e lodhjes e të dehidratimit.
Ndër ushqimet më të pasura me ujë renditen domatet dhe kastravecat, pasi më shumë se 90 për qind e përmbajtjes së tyre është ujë.
Në ditët me temperatura të larta rekomandohen gjithashtu shalqiri, luleshtrydhet, grejpfruti, pjepri, pjeshkët, boronicat, ananasi dhe mjedrat.
Përmbajtja e madhe e ujit dhe shija freskuese e bëjnë shalqirin një prej ushqimeve më të pëlqyera gjatë verës. Luleshtrydhet dhe grejpfruti, përveçse mbështesin hidratimin, i ofrojnë organizmit edhe një numër të madh vitaminash dhe antioksidantësh.
Për freskim në mot të nxehtë mund të zgjidhen edhe pjepri e pjeshkët, ndërsa ananasi dhe mjedrat sjellin ëmbëlsi natyrale dhe lëndë të tjera ushqyese për trupin.
Përfshirja e rregullt e këtyre ushqimeve në dietë mund ta ndihmojë organizmin t’i përballojë më lehtë temperaturat e larta, të mbajë hidratimin në nivel optimal dhe të ruajë energjinë përgjatë gjithë ditës.
Megjithatë, ekspertët sqarojnë se as frutat dhe as perimet nuk e zëvendësojnë ujin. Ato shërbejnë si plotësim i shëndetshëm i ushqyerjes së përditshme dhe si një ndihmë e vlefshme për përballimin e vapës së verës.
