Paris Saint-Germaini ka intensifikuar përpjekjet për të siguruar Ferran Torresin nga Barcelona, ndërsa te klubi francez mbizotëron bindja se marrëveshja mund të përfundojë brenda kësaj jave.
Të lidhura
None found
Gazetari Matteo Moretto raporton se PSG-ja i ka përshpejtuar negociatat me drejtuesit katalunas, me synimin që klubet të gjejnë sa më parë gjuhën e përbashkët për transferimin e sulmuesit spanjoll.
Për kartonin e Torresit, Barcelona thuhet se kërkon jo më pak se 55 milionë euro. Futbollistit i kanë mbetur edhe 11 muaj nga kontrata aktuale me klubin katalunas.
Sulmuesi 26-vjeçar është i gatshëm ta shqyrtojë mundësinë e largimit nga “Camp Nou”, pasi mendon se nuk është vlerësuar sa duhet gjatë periudhës nën drejtimin e Hansi Flickut.
Kalimi në Paris mund të bëhet edhe më tërheqës për Torresin për shkak të mundësisë që të punojë sërish me Luis Enriquen, i cili e ka drejtuar më parë te Kombëtarja e Spanjës.
Torres ka pranuar se ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen. Gjatë një interviste për “NBC Today Show”, ai u shpreh: “Kam kontratë me Barcelonën, por në futboll nuk i dihet kurrë. Po pres të marr vendimin e duhur. Ende nuk e di”.
Kur u pyet nëse kishte një klub të ëndrrave, spanjolli dha këtë përgjigje: “Ëndrra ime është të jem i lumtur”.
Ferran Torres kaloi nga Manchester City te Barcelona në janar të vitit 2022. Që prej atij momenti, ai ka pasur një rol të rëndësishëm në skuadrën katalunase, por tani mund të jetë afër nisjes së një etape të re në karrierë.
