Lumir Abdixhiku do të mbetet në drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pasi mori mbështetjen e delegatëve të Kuvendit të Jashtëzakonshëm për të vazhduar mandatin në krye të partisë. Në votimin e zhvilluar të enjten, 170 delegatë kundërshtuan shkarkimin e tij, ndërsa 152 votuan në favor të largimit.
Të lidhura
None found
Me këtë rezultat u mbyll përpjekja për shkarkimin e Abdixhikut, i cili bëhet kryetari i katërt në historinë e LDK-së që vazhdon ta udhëheqë partinë. Rikonfirmimi i tij vjen në një periudhë debatesh dhe përplasjesh të brendshme lidhur me lidershipin dhe orientimin politik të kësaj force.
Në paraqitjen e parë para mediave pas përfundimit të Kuvendit, Abdixhiku falënderoi delegatët për besimin. Sipas tij, mënyra se si u zhvillua procesi dëshmoi nivelin e demokracisë së brendshme në LDK.
Kreu i LDK-së theksoi se vendimi i delegatëve nuk lidhej vetëm me vazhdimin e mandatit të tij, por përcaktonte edhe kursin programor që partia do të ndjekë gjatë periudhës së ardhshme.
Abdixhiku deklaroi se LDK-ja, për herë të dytë gjatë këtij viti, tregoi demokraci maksimale. Ai tha se delegatët vendosën në mënyrë demokratike si për lidershipin, ashtu edhe për orientimin programor, ndërsa u shpreh i kënaqur me rezultatin dhe mirënjohës për konfirmimin e rezultatit të janarit.
Sipas vlerësimeve të analistëve politikë, vazhdimi i mandatit të Abdixhikut krijon mundësi për vazhdimësi në LDK, por sfidat kryesore mbeten reformimi i brendshëm, konsolidimi i unitetit dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme.
Ata konsiderojnë se qëndrimi i tij në krye shmang një krizë të re politike brenda partisë. Megjithatë, Abdixhiku tani duhet të riorganizojë strukturat dhe të menaxhojë dallimet që ekzistojnë brenda LDK-së.
Analisti politik Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, e cilësoi rikonfirmimin e Abdixhikut si një zhvillim me peshë për të ardhmen e partisë.
Sipas Mehmetit, rizgjedhja e Lumir Abdixhikut përfaqëson aktualisht “të keqen më të vogël” për LDK-në. Ai vlerësoi se, në rast se Abdixhiku nuk do të konfirmohej në krye, zhvillimet për partinë do të merrnin një drejtim krejt tjetër, vendi do të shkonte automatikisht në zgjedhje dhe përgjegjësia për këtë do t’i atribuohej LDK-së.
Mehmeti paralajmëroi se një skenar i tillë do të dëmtonte rezultatin e ardhshëm zgjedhor të kësaj partie. Ai gjithashtu pretendoi se në radhët e LDK-së ndodhen figura të cilat nuk veprojnë në interes të saj.

Analisti tha se gjithçka do të varet nga gatishmëria e Abdixhikut për ta menaxhuar situatën dhe për ta spastruar partinë nga disa persona që, sipas tij, po i shërbejnë më shumë PDK-së sesa vetë LDK-së.
Mehmeti shtoi se Abdixhiku do të kishte më shumë kohë për reforma të brendshme nëse arrihet një marrëveshje politike që shmang zgjedhjet e reja dhe mundëson një mandat të plotë qeverisës.
Ai shpjegoi se, nëse nuk mbahen zgjedhje dhe zgjidhet çështja e presidentit, duke u krijuar një mandat katërvjeçar, Lumir Abdixhiku do ta ketë më të lehtë ta riorganizojë LDK-në dhe ta zgjerojë atë për kohëra të reja.
Edhe analisti politik Eduart Gashi, duke folur për “Bota sot”, vlerësoi se rikonfirmimi i Abdixhikut tregon se shumica e strukturave të LDK-së mbështesin drejtimin e tij politik.
Gashi e përshkroi mbetjen e Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës si një zhvillim të rëndësishëm politik, i cili, sipas tij, mund të shqyrtohet nga disa këndvështrime.
Ai tha se rezultati sinjalizon përkrahjen e shumicës së strukturave të brendshme për linjën politike të Abdixhikut dhe për përpjekjet që synojnë reformimin e LDK-së pas rezultateve të zgjedhjeve të kaluara. Sipas Gashit, ky mandat i ri i mundëson atij të vijojë strategjinë e opozitëbërjes dhe përgatitjet për sfidat e ardhshme elektorale.

Një ndër temat kryesore pas këtij procesi, sipas Gashit, është rreziku që përçarjet në LDK të thellohen. Ai theksoi se kjo do të përcaktohet nga mënyra se si udhëheqja do t’i trajtojë dallimet e brendshme.
Gashi shpjegoi se në një subjekt me traditë të gjatë, siç është LDK-ja, është e natyrshme të ketë rryma dhe figura me qëndrime të ndryshme. Niveli i unitetit, sipas tij, do të varet nga mënyra se si kryesia e re do t’i përfshijë ose akomodojë krahët e tjerë.
Nëse kursi i lidershipit të ri konsiderohet i suksesshëm dhe gjithëpërfshirës, pakënaqësitë mund të zvogëlohen. Në të kundërt, nëse disa figura ndihen të anashkaluara, mund të shfaqen fërkime ose distancime individuale.
Sipas tij, vazhdimi i Abdixhikut në krye tregon se LDK-ja synon ta ruajë vazhdimësinë e procesit të modernizimit. Megjithatë, prova reale për unitetin dhe fuqinë e saj politike do të jenë rezultatet në zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe lokale.
Gashi nënvizoi se iniciativa e anëtarësisë për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, së bashku me mënyrën e organizimit të tij, dëshmuan pjekuri politike.
Në vlerësimin e tij, LDK-ja e kaloi plotësisht me sukses një “test demokracie”, duke treguar se si zbatohet në praktikë demokracia e brendshme partiake. Thirrja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm me nismën e anëtarësisë dhe pjesëmarrja e qetë e e organizuar ishin, sipas tij, shenja të kësaj pjekurie.
Ai vlerësoi se ekzistenca e blloqeve dhe e rrymave të ndryshme brenda një partie është pikërisht baza mbi të cilën funksionon demokracia. E rëndësishme, sipas tij, është që pas përfundimit të votimit rezultati të pranohet dhe të respektohet.
Në përfundim, Gashi tha për “Bota sot” se demokracia nuk nënkupton bllokim të vazhdueshëm apo një qëndrim thjesht “kundër”. Përkundrazi, ajo kërkon gjetjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme, një situatë “ëin-ëin” për të gjithë, veçanërisht për vendin, të ardhmen e tij dhe ndërtimin e një të nesërmeje më të mirë në shërbim të popullit dhe brezave që vijnë.
