Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, i ka kërkuar qeverisë të ndërhyjë pa humbur kohë për shkak të zjarrit të shpërthyer në zonën e Matomares, brenda territorit të Bashkisë Finiq.
Sipas saj, flakët po përparojnë drejt Mesopotamit dhe fshatrave që i përkasin Bashkisë Delvinë.
Të lidhura
None found
Zhupa bëri të ditur se vatra e rrezikshme u aktivizua paraditen e sotme dhe se, megjithëse strukturat vendore nisën ndërhyrjen që në orët e para, zjarri ende nuk është vendosur nën kontroll.
Në këto rrethana, deputetja demokrate kërkoi që pushteti qendror të angazhojë menjëherë të gjitha kapacitetet në dispozicion.
Ajo theksoi nevojën për shtimin e forcave zjarrfikëse në terren, përfshirjen e strukturave të Emergjencave Civile dhe të Forcave të Armatosura, si dhe kërkimin e ndihmës ndërkombëtare për ndërhyrje nga ajri, nëse kjo do të jetë e domosdoshme.
Zhupa deklaroi se avionët për shuarjen e zjarreve, të cilët sipas saj Edi Rama i ka premtuar çdo vit dhe që pretendohet se janë blerë vitin e kaluar nga Pirro Vengu, nuk ekzistojnë.
Për këtë arsye, ajo u bëri thirrje autoriteteve të përdorin pa vonesë të gjitha mjetet që kanë në dispozicion, duke paralajmëruar se çdo minutë e humbur favorizon përhapjen e flakëve.
Ajo kërkoi që të mos lejohet përsëritja e fatkeqësisë së vitit të kaluar në Delvinë, kur zjarret dogjën mijëra hektarë dhe shkaktuan pasoja të rënda për banorët, ekonominë dhe mjedisin, pasoja që, sipas saj, vazhdojnë të ndihen ende.
