Glauk Konjufca, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme dhe nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave mund të zhvillohen negociata më të avancuara me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Të lidhura
None found
Në një prononcim për T7, ai tha se para seancës konstituive të Kuvendit, e planifikuar për të enjten, priten takime të tjera politike me synim krijimin e institucioneve.
Konjufca deklaroi se LVV-ja pritet t’i dërgojë LDK-së një ftesë për dialog në ditët e ardhshme. Sipas tij, caktimi i 6 gushtit lidhet pikërisht me nevojën për t’i dhënë kohë këtij procesi.
“Unë pres që në ditët në vijim, bile edhe para mbajtjes së seancës, të ketë edhe takime të tjera të nivelit politik mes partive politike, krejt me qëllimin që të zgjidhet kjo situatë në të cilën ndodhemi dhe t’i jepet mundësia krijimit të institucioneve të reja”, tha ai.
Ai u shpreh optimist se, pas konstituimit të Kuvendit, me LDK-në mund të arrihet shpejt një marrëveshje për formimin e institucioneve dhe ndarjen e të gjitha pozitave të larta.
“Kjo është arsyeja pse 6 gushti u caktua, siç e keni parë, dhe pres që në ditët në vijim edhe t’i dërgohet ftesa Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të kemi bisedime sa i përket kësaj mundësie”, tha Konjufca.
I pyetur nëse në kuadër të këtyre negociatave mund të përfshihet edhe posti i presidentit, Konjufca tha se ekzistojnë shpresa për një marrëveshje edhe për këtë pozitë.
“Po, edhe për Presidentin ka shpresa. Ne do të hyjmë në negociata më të thelluara me Lidhjen Demokratike të Kosovës, qysh e ka shpjegu edhe vetë kryeministri, edhe pastaj të shohim se çfarë epilogu po sjell ky proces”, u shpreh ai.
Konjufca shtoi se edhe nga LDK-ja është përcjellë gatishmëria për të zhvilluar bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje. Ai tha se kjo e bën optimist për arritjen e një marrëveshjeje për të gjitha pozitat e larta në Republikën e Kosovës.
“Qëllimi ka qenë, edhe prej anës së LDK-së, është shpjeguar prej Kryesisë së kësaj partie që do të jenë të gatshëm të bisedojnë me Lëvizjen Vetëvendosje. Pas kësaj, atëherë, jam shumë optimist që do të kemi një marrëveshje për të gjitha pozitat e larta në Republikën e Kosovës. Do të kemi një zgjidhje besoj”, përfundoi Konjufca.
