Hansi Flick ua ka bërë të ditur drejtuesve të Barcelonës se Ferran Torres nuk do të shitet gjatë afatit kalimtar të kësaj vere.
Të lidhura
None found
Sipas “Mundo Deportivo”, trajneri gjerman e konsideron sulmuesin spanjoll një element të rëndësishëm të projektit të tij dhe kërkon që ai të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës, pavarësisht interesimit të raportuar nga Paris Saint-Germain.
Barcelona gjithashtu synon të rinovojë kontratën e Torresit pas përfundimit të afatit kalimtar, më saktësisht pas muajit shtator. Me zgjatjen e marrëveshjes do të aktivizohet edhe klauzola e detyrueshme prej tetë milionë eurosh, shumë që katalunasit duhet t’ia paguajnë Manchester Cityt.
Flick i njeh 26-vjeçarit një rol të veçantë në skuadër, veçanërisht pas largimit të Robert Lewandowskit. Trajneri vlerëson faktin se Torres mund të luajë në disa pozita të repartit ofensiv dhe se karakterizohet nga një mentalitet i fortë konkurrues.
Megjithëse emri i fituesit të Kupës së Botës me Spanjën është lidhur me një kalim të mundshëm te Paris Saint-Germain, burime brenda klubit bëjnë të ditur se Barcelona nuk po mendon ta nxjerrë atë në shitje.
Po sipas të njëjtave burime, drejtuesit e klubit do të merrnin në shqyrtim një ofertë vetëm në rast se vetë Torres do të kërkonte largimin nga skuadra.
Aktualisht, sulmuesi po pushon pas triumfit të Spanjës në Kupën e Botës dhe deri tani nuk ka kërkuar të largohet. Për rrjedhojë, Barcelona e sheh Ferran Torresin si pjesë të rëndësishme të planeve të Hansi Flickut për sezonin e ri.
