Organizata terroriste “Severna Brigada” dyshohet se ka rikthyer kërcënimet me jetë ndaj zyrtarëve institucionalë në Kosovë. Policia e Kosovës e ka regjistruar rastin më 28 korrik dhe po e heton atë si vepër penale të terrorizmit.
Të lidhura
None found
Sipas raportit policor, mesazhet kërcënuese janë shpërndarë në rrjetet sociale dhe dyshohet se janë publikuar nga organizata e vetëquajtur “Severna Brigada”. Hetimet po zhvillohen nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.
“Severna Brigada” dhe organizata “Mbrojtja Civile” u shpallën terroriste nga Qeveria e Kosovës më 29 qershor 2023, pasi veprimtaria e tyre u vlerësua si kërcënim për rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.
Rishfaqja e këtyre mesazheve në internet ka nxitur shqetësime të reja për praninë dhe ndikimin e strukturave ekstremiste, si dhe për sfidat që institucionet kosovare vazhdojnë të kenë në sektorin e sigurisë.
Një nga çështjet kryesore që ngrihet është nëse bëhet fjalë vetëm për presion virtual apo nëse kërcënimet dëshmojnë se këto struktura ruajnë ende kapacitete për të ndikuar në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.
Po ashtu, mbetet për t’u parë sa efektive kanë qenë masat e deritanishme të institucioneve të sigurisë dhe nëse nevojitet një bashkëpunim më i konsoliduar vendor e ndërkombëtar për parandalimin e veprimeve të ngjashme.
Për këto zhvillime, për gazetën “Bota sot” kanë dhënë vlerësimet e tyre eksperti i sigurisë Arben Dashevci dhe profesori i sigurisë, gjenerali në pension Muhamet Racaj.
Dashevci: “Severna Brigada” mbetet kërcënim për sigurinë kombëtare

Eksperti i sigurisë Arben Dashevci thotë se kërcënimet e fundit nuk përbëjnë një zhvillim të panjohur, pasi “Severna Brigada” ka vepruar edhe më parë dhe, sipas tij, ka paraqitur rrezik për sigurinë e Kosovës.
Ai thekson se kjo organizatë, së bashku me strukturën e ashtuquajtur “Mbrojtja Civile”, është dyshuar për veprimtari terroriste dhe për përpjekje destabilizuese ndaj vendit.
“Po, organizata e shpallur terroriste ‘Severna Brigada’ ka publikuar sërish kërcënime me jetë ndaj zyrtarëve institucionalë në Kosovë, pasi këtë e ka bërë në vazhdimësi edhe më parë. Pikërisht kjo organizatë dhe e ashtuquajtura ‘Mbrojtja Civile’ e kanë rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të vendit tonë në vitin 2023”, deklaron Dashevci për “Bota sot”.
Sipas ekspertit, aktivitetet e këtyre strukturave synojnë të përhapin frikë e pasiguri përmes kërcënimeve, sulmeve dhe mënyrave të tjera të presionit.
“Këta janë të dyshuar për vepra penale të terrorizmit, sepse qëllimi i tyre ka qenë mbjellja e panikut, kërcënimet, sulmet terroriste, si rasti i Banjskës, shantazhet dhe sabotazhet. Publikimet e tyre në rrjetet sociale ngjallin shqetësime për sigurinë institucionale dhe ndikimin e grupeve të tilla në stabilitetin e vendit”, thekson ai.
Dashevci vlerëson se institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmëri për t’i trajtuar këto raste, ndonëse kërcënimi nga grupet ekstremiste nuk është zhdukur.
“Vazhdimësia e kërcënimeve nga ‘Severna Brigada’ tregon se institucionet e Kosovës ende përballen me sfida serioze nga grupet ekstremiste, por ekziston një vigjilencë maksimale. Organet tona të sigurisë janë shumë efektive dhe masat e ndërmarra deri tani për parandalimin e veprimeve të tilla janë trajtuar me shumë seriozitet”, shprehet ai.
Sipas tij, këto zhvillime janë pjesë e një lufte hibride të drejtuar kundër Kosovës.
“Këto kërcënime ndaj sigurisë së zyrtarëve dhe ndaj klimës politike në Kosovë janë pjesë e luftës së egër hibride. Sipas vlerësimit tim, ato drejtohen nga Serbia. Këto struktura nuk gjenden në territorin e Republikës së Kosovës, por veprojnë nga jashtë dhe kërcënojnë të lirë nga rrethi i tyre në Serbi”, deklaron Dashevci.
Eksperti kërkon forcimin e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
“Nevojitet një reagim i koordinuar mes institucioneve tona të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë nga Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithmonë si masë parandaluese për të shmangur përshkallëzimin e situatës”, përfundon ai.
Racaj: Çdo kërcënim ndaj institucioneve prek vetë shtetin

Profesori i sigurisë dhe gjenerali në pension Muhamet Racaj e konsideron të gabuar trajtimin e rikthimit të kërcënimeve si një ngjarje të veçuar.
Ai thotë se ky zhvillim mund të tregojë se strukturat ekstremiste që kanë vepruar në veri të Kosovës nuk janë shkatërruar tërësisht dhe mund të vazhdojnë aktivitetin përmes formave të ndryshme.
“Rikthimi i kërcënimeve nga organizata terroriste ‘Severna Brigada’ nuk duhet të shihet si një incident i izoluar apo vetëm si një kërcënim virtual në rrjetet sociale. Përkundrazi, ai paraqet një indikator serioz se strukturat ekstremiste që kanë vepruar në veri të Kosovës nuk janë çmontuar plotësisht”, deklaron Racaj për “Bota sot”.
Racaj nënvizon se kërcënimi ndaj figurave dhe institucioneve më të larta shtetërore tejkalon nivelin individual, pasi prek funksionimin e rendit kushtetues.
“Kur objekt i kërcënimit bëhen Presidentja, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit apo institucionet e tjera shtetërore, atëherë nuk kemi të bëjmë me kërcënime ndaj individëve, por ndaj funksionimit normal të shtetit”, shprehet ai.
Ngjarjet e viteve të fundit, sipas gjeneralit në pension, kanë dëshmuar se në veri të Kosovës kanë ekzistuar struktura të organizuara kriminale dhe terroriste.
“Ngjarjet në Banjskë, sulmet ndaj Policisë së Kosovës, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe veprimet e organizuara kriminale tregojnë se këto struktura kanë poseduar organizim, financim dhe mbështetje logjistike. Për këtë arsye, çdo kërcënim i ri duhet të trajtohet me seriozitet maksimal”, thekson ai.
Megjithëse institucionet e sigurisë kanë shënuar përparim, Racaj thotë se lufta kundër ekstremizmit kërkon përkushtim të vazhdueshëm.
“Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Prokuroria Speciale dhe institucionet e tjera të sigurisë kanë bërë përparim të dukshëm në goditjen e grupeve kriminale dhe terroriste. Megjithatë, fakti që ‘Severna Brigada’ vazhdon të shfaqet tregon se lufta kundër ekstremizmit nuk ka përfunduar”, deklaron Racaj.
Sipas tij, mesazhet kërcënuese synojnë të krijojnë pasiguri psikologjike, të ndikojnë te vendimmarrja dhe të dobësojnë besimin e qytetarëve te institucionet.
“Këto kërcënime ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e zyrtarëve shtetërorë dhe në klimën politike në vend. Ato synojnë të krijojnë pasiguri psikologjike, të ushtrojnë presion mbi vendimmarrjen institucionale dhe të minojnë besimin e qytetarëve në aftësinë e shtetit për të garantuar sigurinë”, thotë ai.
Racaj kërkon koordinim më të madh mes institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë për t’iu përgjigjur këtyre rreziqeve.
“Policia e Kosovës, AKI-ja, Prokuroria Speciale, Ministria e Punëve të Brendshme, Forca e Sigurisë së Kosovës, KFOR-i dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të shkëmbejnë informacion në kohë reale, të identifikojnë burimet e financimit dhe komandimit të këtyre grupeve dhe të ndërmarrin masa parandaluese”, përfundon ai për “Bota sot”.
