Manchester City do ta ndiejë mungesën e Bernardo Silvës pas transferimit të tij te Real Madridi gjatë kësaj vere, ka pranuar Josko Gvardiol.
Të lidhura
None found
Mesfushori portugez, 31 vjeç, e ka përfunduar kalimin te gjiganti spanjoll dhe të hënën pritet të nisë stërvitjet nën urdhrat e Jose Mourinhos. Real Madridi veproi me shpejtësi për të siguruar nënshkrimin e tij, megjithëse interesim për lojtarin raportohej se kishin shfaqur edhe Barcelona dhe Atletico Madridi.
Duke folur për The Athletic, Gvardiol vlerësoi lart ish-bashkëlojtarin e tij dhe la të kuptohej se portugezi prej kohësh dëshironte të transferohej në Spanjë.
“Kishim një raport shumë të afërt. Sa e madhe është humbja jonë? Këtë do ta kuptojmë pasi të kthehemi dhe të nisë sezoni”.
“Bernardo është rikthyer aty ku e ka vendin. Prej një kohe shumë, shumë të gjatë ai fliste për Spanjën”, u shpreh mbrojtësi kroat.
Për sezonin e ardhshëm, Mourinho pritet t’i japë Bernardo Silvës një rol qendror në mesfushë, duke çmuar aftësinë e portugezit për të krijuar lojë dhe përshtatshmërinë e tij taktike.
Bernardo është në gjendje të aktivizohet si mesfushor ofensiv, por gjithashtu edhe në krahun e djathtë të sulmit. Kjo i ofron trajnerit të Real Madridit më shumë zgjidhje taktike për edicionin e ri.
