Dënimi i një 19-vjeçari norvegjez nga gjykata Old Bailey në Londër, për komplot me qëllim vrasjen në West Yorkshire, ka rikthyer në vëmendje një model të ri dhe veçanërisht të rrezikshëm të krimit të organizuar që po përhapet në Europë.
Sipas BBC, pas kësaj çështjeje qëndron rrjeti famëkeq kriminal “Foxtrot”, i cili, sipas autoriteteve europiane, rekruton adoleshentë përmes rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të enkriptuara, duke i kthyer ata në vrasës me pagesë.
Të lidhura
None found
Rasti është vetëm një pjesë e fenomenit që ekspertët e quajnë “Violence-as-a-Service” (VaaS), ose “Dhuna si Shërbim”. Bëhet fjalë për një mënyrë të re funksionimi të organizatave kriminale, të cilat porosisin vrasje dhe sulme duke shfrytëzuar të rinj të cenueshëm, duke i joshur me shuma të mëdha parash dhe duke i trajtuar si të zëvendësueshëm.
Sipas Europol, ky fenomen po përhapet me shpejtësi në Europën veriore dhe tashmë konsiderohet një nga sfidat më të mëdha për autoritetet e sigurisë.
Banda “Foxtrot” dhe lidhjet me Iranin
Në qendër të hetimeve ndodhet “Foxtrot Network”, një prej organizatave kriminale më të dhunshme në Suedi. Autoritetet europiane vlerësojnë se që prej vitit 2022, rrjeti është përgjegjës për rreth 35 vrasje, si dhe për dhjetëra tentativa dhe sulme të tjera, përfshirë edhe veprime kundër objektivave izraelite në Europë, me granata dhe mjete shpërthyese.
Organizata dyshohet se ka krijuar lidhje me regjimin iranian, veçanërisht pas vitit 2023, kur lideri i saj, Rawa Majid, u largua nga Suedia dhe u vendos në Teheran.
Sipas autoriteteve suedeze dhe gazetarëve investigativë, Majid dyshohet se bashkëpunon me Iranin për organizimin e sulmeve kundër kundërshtarëve të regjimit, gazetarëve dhe objektivave izraelite. Qeveria britanike vendosi sanksione ndaj tij dhe ndaj rrjetit “Foxtrot” në prill të vitit 2025.

Rawa Majid (majtas), kreu i rrjetit Foxtrot, me Ali Shehad Ahmed, i cili sipas autoriteteve konsiderohet një figurë kyçe në organizatë
Vrasjet organizohen si një lojë elektronike
Elementi më tronditës i këtij fenomeni është mënyra e rekrutimit të ekzekutorëve të rinj.
Sipas grupit operacional GRIMM të Europol, kontaktet realizohen pothuajse ekskluzivisht përmes rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të enkriptuara si “Signal”. Urdhrat jepen hap pas hapi, në një mënyrë të ngjashme me një lojë elektronike.
Rekrutuesit përdorin pseudonime të frymëzuara nga video-lojërat e njohura, si “Agent 47”, emri i personazhit kryesor në serinë “Hitman”.
Ekzekutorëve të rinj u dërgohen harta, video, udhëzime, koordinata GPS dhe vendndodhje ku janë fshehur armë dhe para. Të rinjtë trajtohen si “lojtarë” që duhet të përfundojnë misione.
Një rast domethënës është ai i 18-vjeçarit Attila Azimov. Në shkurt të vitit 2025, ai qëlloi disa herë një student 20-vjeçar, Murad Abdelkader, jashtë Stokholmit.
I riu po kthehej nga turni i punës në një restorant “McDonald’s”, kur u qëllua me armë. Autori e goditi disa herë dhe më pas i dha edhe plumbin fatal në kokë. Por ai kishte vrarë personin e gabuar. Sot Azimov po vuan dënimin me burgim të përjetshëm.
Shumica nuk paguhen kurrë
Pavarësisht premtimeve për shpërblime prej dhjetëra mijëra eurosh, shumica e ekzekutorëve të rinj nuk marrin asnjëherë paratë e premtuara.
Organizatat kriminale e dinë se autorët arrestohen pothuajse menjëherë pas sulmeve dhe për këtë arsye shmangin pagesën.
“Nuk u intereson aspak nëse adoleshentët arrestohen. Nëse arrestohen, ata nuk mund të kërkojnë më paratë që u ishin premtuar”, shpjegon gazetari investigativ suedez Diamant Salihu.
Një rast i ngjashëm është ai i norvegjezit Johannes Natland, i cili u dënua për komplot vrasjeje në Britani. I riu ishte rritur në një familje të pasur gazetarësh, por më pas u përfshi në përdorimin e drogës dhe u përball me probleme serioze të shëndetit mendor.
Përmes internetit ai mori një mesazh ku shkruhej: “Killing in England – 270.000 korona” (rreth 21 mijë paund).
“Foxtrot” i pagoi biletën e avionit vetëm vajtje drejt Mançesterit, e udhëzoi vazhdimisht përmes “Signal” dhe i tregoi vendet ku ishin fshehur armët dhe paratë.
Ai u arrestua përpara se të mësonte se kush do të ishte objektivi i tij. Autoritetet vijojnë të hetojnë nëse bëhej fjalë për një ekzekutim kriminal apo për një sulm me prapavijë politike të lidhur me Iranin.
Hetimet kanë zbuluar se një 16-vjeçar, i njohur me pseudonimin “Generalen”, rekrutonte të mitur për vrasje në emër të rrjetit “Foxtrot”. Ai dyshohet se kishte punësuar si ekzekutorë si Azimov, ashtu edhe të rinj të tjerë që kryen vrasje në Suedi.
Veprimtaria e tij u zbulua pasi tentoi të organizonte vrasjen e djalit 14-vjeçar të një polici norvegjez. Një nga të miturit që kishte rekrutuar njoftoi autoritetet. “Generalen” u dënua në maj të vitit 2026 me 14 vite burg.
Europol kundër modelit të ri kriminal
Për të luftuar këtë fenomen është krijuar grupi operacional OTF GRIMM, ku marrin pjesë 11 vende europiane: Suedia, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Holanda, Belgjika, Spanja dhe Islanda.
Gjatë 15 muajve të parë të funksionimit të tij janë kryer më shumë se 280 arrestime, përfshirë edhe figura kyçe të rrjetit “Foxtrot”.
Megjithatë, lideri i organizatës vazhdon të qëndrojë në Teheran dhe konsiderohet ende aktiv në drejtimin operacional të rrjetit.
Shërbimet europiane të sigurisë paralajmërojnë se modeli “Dhuna si Shërbim” nuk kufizohet më vetëm te “Foxtrot”.
Edhe organizata të tjera kriminale, përfshirë banda rivale, kanë filluar të përdorin të njëjtën metodë për rekrutimin e të miturve përmes internetit.
Fenomeni, i cili nisi në Suedi, tashmë është përhapur në Skandinavi, Europën veriore dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Autoritetet europiane shprehen të shqetësuara për një gjeneratë të re të krimit të organizuar, që shfrytëzon cenueshmërinë e të rinjve dhe fuqinë e rrjeteve sociale për të krijuar një model të ri dhune të porositur.
