Randal Kolo Muani do të kalojë përfundimisht nga Paris Saint-Germain te Juventusi, pasi klubet kanë arritur marrëveshjen, siç ka konfirmuar eksperti i merkatos Fabrizio Romano.
Palët kanë mbyllur hollësitë e fundit të operacionit, ndërsa sulmuesi francez pritet të firmosë me klubin nga Torino një kontratë të vlefshme deri në vitin 2031.
Të lidhura
None found
Juventusi do të derdhë 38 milionë euro si tarifë fikse. Marrëveshja parashikon gjithashtu 12 milionë euro bonuse, të cilat lidhen me paraqitjet dhe arritjet e lojtarit, sipas Romanos.
Formula përfundimtare nuk do të jetë huazimi i diskutuar më parë, pasi Kolo Muani do t’i bashkohet drejtpërdrejt dhe në mënyrë të përhershme “Zonjës së Vjetër”.
Në Torino, francezi pritet të marrë një pagë sezonale prej pak më shumë se 5 milionë euro neto.
Me këtë marrëveshje mbyllet një sagë e gjatë transferimi. Juventusi e kishte përcaktuar 27-vjeçarin si një prej objektivave kryesorë, pas paraqitjeve pozitive që ai zhvilloi gjatë periudhës së mëparshme në klub.
Kolo Muani do ta vijojë tashmë karrierën në Torino si pjesë e një projekti afatgjatë, ndërsa Juventusi përforcon repartin sulmues me një futbollist që zotëron përvojë ndërkombëtare.
