Dakordësia paraprake e Shqipërisë dhe Serbisë për ngritjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc ka hapur diskutime për pasojat politike e diplomatike të këtij vendimi. Debati lidhet veçanërisht me statusin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si edhe me çështjet ende të pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Të lidhura
None found
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç, njoftoi për marrëveshjen pas një takimi me homologun e tij shqiptar, Ferit Hoxha. Përfaqësia shqiptare në Bujanoc konsiderohet nga disa si një mundësi për komunikim institucional më të afërt me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Nga ana tjetër, ideja e një konsullate serbe në Shkodër ka nxitur pikëpyetje lidhur me motivet dhe objektivat e saj politike.
Në një prononcim për “Bota sot”, publicisti Lis Bukuroca e cilësoi pozitiv hapjen e konsullatës shqiptare në Bujanoc, ndonëse vlerësoi se efekti i saj politik dhe juridik për shqiptarët e Luginës së Preshevës do të jetë i kufizuar.
Sipas Bukurocës, konsullata nuk mund ta ndryshojë gjendjen politike dhe juridike të shqiptarëve të kësaj zone, pasi ajo përcaktohet nga politikat e shtetit serb. Megjithatë, ai tha se përfaqësia mund të shërbejë si kanal komunikimi, të mbledhë informacion të drejtpërdrejtë mbi diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve dhe t’u ofrojë atyre mbështetje konsullore e institucionale.

Ndryshe qëndrim mbajti për konsullatën serbe në Shkodër. Publicisti argumentoi se nuk sheh një arsye të fortë praktike për hapjen e saj, duke theksuar se në Shkodër nuk ka një komunitet të madh serb që do ta justifikonte një përfaqësi të tillë. Për këtë arsye, ai e konsideron nismën më tepër një veprim politik balancues sesa një nevojë konsullore.
Bukuroca nënvizoi se bashkëpunimi mes shteteve nuk duhet kundërshtuar në parim, por duhet të ndërtohet mbi trajtim të barabartë dhe mbi njohjen e realitetit politik rajonal. Ai vuri në dukje se Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon retorikën kërcënuese dhe ushtron presion ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në këto rrethana, sipas tij, lind natyrshëm pyetja nëse para ndërmarrjes së hapave të tillë duhej të kërkohej më shumë reciprocitet dhe ndjeshmëri politike.
Duke folur për qasjen e kryeministrit Edi Rama ndaj Serbisë, Bukuroca tha se ajo vazhdon linjën e politikës së tij për marrëdhënie sa më konstruktive me Beogradin dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal, edhe në kuadër të integrimit europian. Sipas tij, kjo është reflektuar edhe në reagimet e Ramës dhe të institucioneve shqiptare ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve serbë, të cilat ai i konsideron dukshëm më të përmbajtura nga sa pritej.
Ai shtoi se edhe Bashkimi Europian ka reaguar butë ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Mungesa e një qëndrimi më të prerë kundër retorikave destabilizuese, sipas Bukurocës, po krijon shqetësim në rajon.
Sa i takon Kosovës, publicisti vlerësoi se institucionet dhe partitë politike duhet të tregohen të matur, por njëkohësisht të qartë në mbrojtjen e interesave të vendit. Ai tha se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, por duhet të mbështetet te reciprociteti, respekti i ndërsjellë dhe zgjidhja e çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, çdo veprim që krijon idenë e një normaliteti të plotë me Serbinë, ndërsa problemet thelbësore mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura, mund të përcjellë sinjale të gabuara në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.
Në përfundim, Bukuroca paralajmëroi se një qasje e mbështetur në mirëkuptim të njëanshëm ndaj Serbisë mund të ketë pasoja negative. Ai tha se një trajtim i tillë e inkurajon Serbinë, duke e lidhur këtë me faktin se ajo nuk arreston autorët e sulmit terrorist në Banjskë, por i trajton si heronj, si edhe me vazhdimin e provokimeve ndaj Kosovës.
“Në politikë vlen parimi i reciprocitetit. Edi Rama shpreson ta bindë Bashkimin Europian me përkëdhelje ndaj Serbisë. Integrimi arrihet me shtet funksional ligjor, institucione të forta dhe standarde demokratike. Jo me zvarritje!”, përmbylli Lis Bukuroca për “Bota sot”.
