Gjatë samitit të NATO-s, të zhvilluar disa javë më parë, kryeministri Edi Rama dha një intervistë për Tik-Toker-in e njohur Max Klymenko.
Influenceri dhe sipërmarrësi e përballi kreun e qeverisë shqiptare me një sërë pyetjesh të drejtpërdrejta për disa prej temave kryesore që lidhen me qeverisjen e tij.
Të lidhura
None found
Biseda nuk u kufizua vetëm te politika. Klymenko e pyeti Ramën edhe për kohën që i kushton gjumit, lidhjen me sportin dhe raportet që ka krijuar me udhëheqës të ndryshëm europianë.
Kryeministri veçoi marrëdhënien me homologen italiane Giorgia Meloni, ndërsa tregoi se raporti me Mark Rutte kishte qenë mjaft sfidues gjatë periudhës kur ky i fundit drejtonte Holandën.
Max Klymenko: Kryeministri shqiptar duhet të ndodhet në këtë dhomë. Ai duhet të jetë këtu, por nuk shoh askënd. Shqipëria ka një prej flamujve më të bukur në botë. Oh, përshëndetje.
Edi Rama: Përshëndetje.
Max Klymenko: Si po kalon?
Edi Rama: Mirë.
Max Klymenko: Nëse nuk ka problem, dua vetëm të të drejtoj disa pyetje.
Edi Rama: Patjetër.
Max Klymenko: Çfarë konsideron si aspektin më të vështirë të punës që bën?
Edi Rama: Të arrish të mos çmendesh.
Max Klymenko: Po pjesa që të pëlqen më shumë nga puna?
Edi Rama: Të realizosh gjëra që u bëjnë mirë njerëzve.
Max Klymenko: Në çfarë mënyre po e mbështet Shqipëria Ukrainën?
Edi Rama: Ne kemi bërë përpjekje për të dhënë maksimumin tonë. Shqipëria nuk është një shtet i madh dhe as një vend i pasur, por i është gjendur pranë Ukrainës me të gjitha mundësitë që ka pasur.
Max Klymenko: Cili mendon se është rreziku më i madh me të cilin përballet Shqipëria?
Edi Rama: Shqiptarët përbëjnë kërcënimin më të madh për Shqipërinë, në kuptimin se duhet ta kuptojmë sa shumë punë kemi ende përpara dhe se duhet të ecim pa u ndalur drejt Bashkimit Evropian. Kur të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian, do të jemi të mbrojtur edhe nga vetvetja.
Max Klymenko: Profesioni juaj renditet i dyti në botë për sasinë më të vogël të gjumit. Vetëm mjekët flenë më pak se politikanët. Zakonisht, sa orë arrin të flesh?
Edi Rama: Mesatarja është pesë orë, por ndonjëherë mund të fle edhe më pak.
Max Klymenko: Me cilin udhëheqës botëror mendon se ke raportin më të mirë dhe me cilin ke pasur marrëdhënien më të vështirë?
Edi Rama: Raportet e mia janë të mira me të gjithë. Ndoshta marrëdhënien më të afërt e kam me Giorgian. Edhe Shqipëria me Italinë kanë një lidhje të veçantë. Kur Mark Rutte ishte kryeministër i Holandës, marrëdhënia jonë ishte shumë sfiduese. Më vonë, megjithatë, u bëmë miq shumë të mirë dhe sot kemi një miqësi të veçantë. Pa asnjë diskutim, ai është personi që di më mirë se kushdo si ta menaxhojë Donald Trump-in.
Max Klymenko: Sa profesione ke ushtruar gjatë jetës? A mund të përmendësh disa prej gjërave me të cilat je marrë?
Edi Rama: Fillimisht kam punuar si artist me kohë të plotë dhe më pas u bëra… A mund të thuhet se u bëra politikan? Shpresoj që jo. Përtej kësaj, jam marrë me shumë gjëra. Kam luajtur basketboll dhe kam arritur deri te ekipi kombëtar, jo për shkak se isha veçanërisht i zoti, por sepse isha i gjatë.
Max Klymenko: A je i kënaqur për Knicks?
Edi Rama: Nuk e ndjek më basketbollin me fanellat e zeza jashtë fushës. Nuk është më i njëjti sport.
Max Klymenko: Po shoh se duhet të largohemi, ndaj kjo është pyetja e fundit. Çfarë këshille do t’i jepje sot një të riu?
Edi Rama: Kur isha fëmijë, ndihesha gjithmonë shumë, shumë në siklet sa herë që duhej të dëgjoja këshilla. Kur u rrita, i dhashë fjalën vetes se, sapo të bëhesha i rritur, nuk do t’u jepja asnjëherë këshilla të rinjve. Nuk mendoj se është një ide e mirë.
Max Klymenko është një influencer dhe sipërmarrës ukrainas që jeton në Londër. Popullaritet të madh në TikTok dhe YouTube ai fitoi përmes serisë “Career Ladder”, në të cilën përpiqej të gjente brenda dy minutash profesionin e personave që takonte në rrugë.
Në vitin 2024, Klymenko u përfshi në listën Forbes 30 Under 30 Europe, ndërsa në vitin 2025 mori në TikTok UK çmimin “Creator of the Year”. Krahas përmbajtjeve për karrierën, ai trajton edhe tema që lidhen me biznesin, ekonominë, markat dhe çështjet globale.
