Kryetarja e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, ka dalë kundër propozimit për shkrirjen e kësaj njësie vendore në kuadër të riorganizimit të ri territorial. Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, ajo ka kërkuar që Dimali të vijojë të funksionojë si bashki më vete.
Sipas Memajt, argumentet për ruajtjen e bashkisë lidhen me trashëgiminë historike, identitetin e zonës dhe kapacitetet e saj ekonomike. Ajo ka kujtuar se Dimali daton që nga shekulli i V para erës sonë dhe se ky territor ka mbajtur ndër vite një peshë të rëndësishme strategjike dhe ekonomike.
Të lidhura
None found
Ajo ka theksuar se reforma administrative-territoriale e vitit 2015 bashkoi një komunitet që ndahet nga e njëjta histori, traditë dhe ekonomi vendore. Ndërsa emërtimi i bashkisë si Dimal, sipas saj, erdhi pas një procesi të gjerë konsultimesh me banorët.
“Ky proces vërtetoi edhe njëherë se vullneti i këtij komuniteti të dalë nga reforma e vitit 2015 është të qëndrojnë bashkë si një njësi e tërë, se ata janë të lidhur nga historia, tradita dhe potenciali ekonomik”, shkruan Memaj.
Kryebashkiakja ka shprehur dyshime edhe për bazën mbi të cilën është ndërtuar reforma e re territoriale. Sipas saj, nuk është bërë e qartë se cilat kritere kanë çuar në propozimin për shkrirjen e Bashkisë Dimal dhe bashkimin e saj me njësi të tjera vendore.
Në reagimin e saj, Memaj ka vënë përballë treguesit financiarë të Dimalit me ata të Bashkisë Berat. Ajo pretendon se Dimali ka një nivel më të lartë investimesh të realizuara nga buxheti faktik, si edhe më pak punonjës për 1000 banorë.
Sipas saj, gjatë periudhës së ekzistencës së saj, Bashkia Dimal ka prodhuar më shumë të ardhura, të cilat më pas janë përdorur për investime dhe shërbime për qytetarët.
“Një njësi vendore që arriti të gjenerojë 5 herë më shumë të ardhura gjatë ekzistencës së saj dhe duke bërë të mundur që këto të ardhura t’i rikthehen qytetarit, në investime kapitale dhe shërbime, pse duhet të shkrihet?”, shprehet ajo.
Memaj ka kundërshtuar gjithashtu edhe mënyrën se si po zhvillohet procesi i reformës, duke deklaruar se institucionet vendore nuk i kanë pasur në dispozicion analizat e përdorura për hartimin e saj, me qëllim shqyrtimin dhe dhënien e sugjerimeve.
Ajo ka nënvizuar se ndërhyrjet në ndarjen territoriale duhet të ndërtohen mbi kritere të qarta dhe të kalojnë përmes një procedure transparente e gjithëpërfshirëse.
“Një organizëm administrativ është një qenie e gjallë, prandaj mendoj se çdo ndryshim duhet të jetë i mirë menduar, i argumentuar në bazë kriteresh të gjithëpranuara dhe të dalë nga një proces gjithëpërfshirës e transparent”, shkruan kryetarja e Bashkisë Dimal.
Memaj ka dalë hapur kundër propozimit të përfaqësuesve të Partisë Socialiste në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, që parashikon shkrirjen e Bashkisë Dimal. Ajo ka renditur si arsye rritjen e popullsisë, zhvillimin e ekonomisë lokale, eksportet bujqësore dhe identitetin historik të territorit.
Në mbyllje të deklaratës së saj, kryetarja e Bashkisë Dimal ka ritheksuar se kjo njësi vendore nuk duhet të shkrihet.
“Përfundimisht, Dimali duhet të vijojë të jetë njësi vendore më vete”, përfundon Juliana Memaj.
