Nirmal Purja, alpinisti i famshëm nga Nepali që shkroi historinë duke pushtuar të 14 majat mbi 8 mijë metra brenda 190 ditësh, ka vdekur si pasojë e një orteku në malin Broad Peak të Pakistanit.
Të lidhura
None found
Në këtë ngjarje humbën jetën edhe nëntë pjesëtarë të tjerë të ekspeditës, duke e kthyer atë në një nga tragjeditë më të rënda të alpinizmit modern.
Ekipi u godit nga orteku më 30 korrik, teksa po lëvizte nga Kampi 2 në drejtim të Kampit 3, në afro 6,600 metra lartësi. Përpjekjet e kërkim-shpëtimit filluan të nesërmen, por ndërhyrja u vështirësua nga kushtet e rënda të motit.
Në fazën e parë u gjetën trupat e nepalezit Pur Bahadur Gurung, të Sarah Mallory nga Shtetet e Bashkuara dhe të Nadhira Al Harthy, e njohur si gruaja e parë nga Omani që kishte arritur në majën e Everestit. Pas rinisjes së operacionit, autoritetet konfirmuan gjithashtu vdekjen e Nirmal Purjas dhe të shtatë alpinistëve të tjerë që rezultonin të zhdukur.
Konfirmimi erdhi nga Elite Exped, agjencia që drejtohej nga vetë Purja. Në reagimin e saj publik, ajo e përshkroi atë si “një nga alpinistët më të mëdhenj në histori” dhe si një drejtues që, përmes guximit dhe vendosmërisë, frymëzoi miliona njerëz.
Humbja e Purjas dhe e nëntë anëtarëve të tjerë të ekspeditës po cilësohet si një ndër fatkeqësitë më të mëdha të regjistruara gjatë ngjitjeve në majat tetëmijëshe. Ajo i shtohet tragjedive të njohura që kanë ndodhur në Everest, K2, Manaslu dhe Nanga Parbat.
Purja kishte udhëtuar drejt Pakistanit fillimisht për të ngjitur Gasherbrum II. Më vonë, ai mori vendimin të provonte edhe Broad Peak, në përpjekje për t’u bërë njeriu i parë që i ngjiste për herë të dytë të 14 majat mbi 8 mijë metra, pa oksigjen shtesë.
Pak ditë përpara tragjedisë, alpinisti kishte publikuar në rrjetet sociale mesazhin: “Nuk e marr asnjë mal si të mirëqenë. Nga momenti që largohem nga kampi bazë, jam 100% i përqendruar.”
Fama ndërkombëtare për Nirmal Purjan erdhi në vitin 2019 falë nismës “Project Possible”, gjatë së cilës ai përfundoi ngjitjen e 14 majave më të larta të planetit në vetëm 190 ditë. Arritja e tij u dokumentua edhe në prodhimin e Netflix “14 Peaks: Nothing Is Impossible”. Ish-pjesëtari i forcave speciale britanike vlerësohej si një nga emrat më të rëndësishëm të alpinizmit të kohëve moderne.
