Manchester United ka hedhur sytë nga Serie A dhe po përgatit një ofertë të rëndësishme për të siguruar shërbimet e Francisco Conceicaos, anësorit të talentuar të Juventusit.
Të lidhura
None found
Sipas burimeve të Sportmediaset, klubi anglez propozon një shumë prej 30 milionë eurosh dhe kartonin e sulmuesit holandez Joshua Zirkzee, me shpresën për të bindur drejtuesit torinezë.
Portugezi mund të ndërpresë aventurën e tij te “Zonja e Vjetër” pas vetëm dy sezonesh, ndërsa “Djajtë e Kuq” po shfaqin interesimin më konkret deri tani për të.
Trajneri Michael Carrick synon të përforcojë repartin e avancuar dhe sheh te Conceicao profilin ideal për projektin e tij teknik.
Ish-lojtari i Portos kaloi fillimisht në Torino në verën e 2024-ës në formë huazimi, përpara se Juventusi të paguante 30 milionë euro për ta blerë në mënyrë të përhershme.
Performancat e tij solide e shndërruan shpejt në një element të rëndësishëm të skuadrës, fillimisht nën drejtimin e Igor Tudor dhe më pas të Luciano Spallettit.
Forma e mirë ka tërhequr vëmendjen nga Premier League, ku edhe Liverpooli po e ndjek me kujdes situatën, por Unitedi deri më tani është treguar më këmbëngulës në garë.
Bordi i Juventusit e vlerëson portugezin në një shifër që lëviz mes 50 dhe 60 milionë eurove, megjithatë kjo shumë mund të reduktohet nëse përfshihet një lojtar në negociata.
Për pasojë, oferta e United prej 30 milionë eurosh plus Zirkzeen mund të jetë një formulë tërheqëse për të dyja palët.
Sulmuesi holandez nuk bën më pjesë në planet kryesore të klubit të “Old Trafford” dhe një rikthim në Itali do të ishte i mirëpritur nga vetë lojtari.
Nga ana tjetër, Spalletti është në kërkim të një qendërsulmuesi të ri për sezonin e ardhshëm dhe e çmon profilin e Zirkzees, çka e bën shkëmbimin një opsion mjaft interesant për kampionatin italian.
