Pas rikonfirmimit në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku njoftoi se partia e tij do të rifillojë diskutimet për krijimin e institucioneve të reja sapo të përfundojë Kuvendi i Përgjithshëm i LDK-së.
Të lidhura
None found
Abdixhiku deklaroi se pezullimi i bisedimeve hiqet nga ky moment dhe se LDK-ja është e gatshme të diskutojë për institucionet. Sipas tij, me Lëvizjen Vetëvendosje fillimisht duhet të përafrohen parimet e përbashkëta, ndërsa çështja e pozitave dhe e shpërndarjes së përgjegjësive do të trajtohet në një fazë të mëvonshme.
Edhe deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, foli për mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, duke renditur tri parime bazë mbi të cilat, sipas tij, mund të ndërtohet një marrëveshje.
Haziri tha se parimi i parë kërkon një marrëveshje të plotë, sipas formulës “ose për të gjitha, ose për asnjërën”. Si parim të dytë ai përmendi agjendën shtetërore, programin qeverisës dhe politikat sektoriale, me interesin e Republikës si përparësi.
Parimi i tretë, sipas tij, ka të bëjë me përcaktimin e qartë të përgjegjësive dhe roleve të partnerëve të mundshëm të koalicionit, të formalizuar nëpërmjet një marrëveshjeje të mirëfilltë bashkëpunimi.
Haziri theksoi se përgjegjësitë duhet të ndahen përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi, pasi, në të kundërtën, LDK-ja shkakton procese.
Balaj: Vendimtare do të jetë nëse do të dominojë përjashtimi apo përgjegjësia institucionale

Në një prononcim për “Bota sot”, analisti politik Labinot Balaj vlerësoi se rimarrja e mandatit nga Abdixhiku mund të ketë qenë e domosdoshme për ripozicionimin politik të LDK-së, por nuk mjafton për formimin e institucioneve.
Sipas Balajt, rezultati i votimit në Kuvend nuk do të jetë faktori përcaktues. Ai tha se rëndësi do të ketë vendimi politik që do të pasojë dhe nëse në të do të triumfojë qasja përjashtuese apo logjika e përgjegjësisë institucionale.
Balaj konsideron se brenda LDK-së vazhdojnë të bashkëjetojnë disa fraksione, ndonëse dy prej tyre dallohen më qartë. Njëra rrymë lidhet me udhëheqjen e rikonfirmuar të Lumir Abdixhikut, ndërsa tjetra përfaqësohet nga figura me ndikim në parti, mes të cilave Abdulla Hoti, Arben Gashi dhe Hykmete Bajrami.
Ai rikujtoi se këto figura janë shprehur kundër bashkëqeverisjes me Vetëvendosjen. Për këtë arsye, sipas tij, kompletimi i institucioneve, përkatësisht zgjedhja e presidentes, përballet me një rrezik real.
Analisti paralajmëroi se, nëse ky pozicion mbizotëron në vendimmarrjen e LDK-së pas Kuvendit, rikonfirmimi i Abdixhikut nuk do të sjellë medoemos zhbllokimin e krizës institucionale. Megjithatë, ai tha për “Bota sot” se, në variantin më optimist, mandati i ri i Abdixhikut në drejtimin e partisë mund të shërbejë si hyrje në një etapë të re politike për LDK-në.
Rexhepi: Bashkëqeverisja LDK-LVV është ndër mundësitë më të forta për institucione stabile

Anëtari i Guxo, Agim Rexhepi, deklaroi se rikonfirmimi i Lumir Abdixhikut ia fuqizon legjitimitetin politik dhe e vendos në një pozitë më të fortë gjatë negociatave për ngritjen e institucioneve.
Në vlerësimin e Rexhepit, Abdixhiku tashmë hyn në bisedime me një mandat të rinovuar nga partia dhe bëhet bashkëbiseduesi kryesor në çdo proces të tillë. Kjo, sipas tij, i krijon më shumë hapësirë për vendime strategjike, pa u përballur me të njëjtin nivel presioni të brendshëm që kishte më parë.
Megjithatë, Rexhepi sqaroi për “Bota sot” se një koalicion ndërmjet LDK-së dhe LVV-së nuk bëhet automatikisht i sigurt nga rikonfirmimi i Abdixhikut. Ai tha se një marrëveshje e tillë kushtëzohet nga programi qeverisës, mënyra e ndarjes së përgjegjësive institucionale dhe gatishmëria e të dyja palëve për kompromis.
Rexhepi përmendi se raportimet e fundit kanë bërë fjalë për kontakte, madje edhe për dakordim në parim, por deri tani asnjëra palë nuk ka dhënë konfirmim zyrtar.
Duke folur për ngërçin politik, ai vlerësoi se koalicioni LDK-LVV do të përbënte një nga alternativat më të fuqishme për krijimin e institucioneve stabile, nëse dy subjektet arrijnë të krijojnë besim dhe të bien dakord rreth temave kryesore shtetërore.
Sipas Rexhepit, bashkëpunimi mes dy partive me mbështetjen më të madhe elektorale mund të prodhonte një shumicë më funksionale dhe të evitonte zgjedhjet e reja. Ai përfundoi për “Bota sot” se fati i një koalicioni të tillë nuk do të varej vetëm nga numrat në Kuvend, por nga aftësia për të ndërtuar besim politik dhe për të arritur pajtim mbi çështjet kyçe të shtetit.
