Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka deklaruar se LDK-ja nuk lëkundet nga presionet dhe sfidat, ndërsa ka rikujtuar parimet mbi të cilat është ngritur kjo parti.
Të lidhura
None found
Sipas Gashit, LDK-ja nuk mund të ndalet dhe nuk frikësohet as nga trysnia e jashtme, as nga vështirësitë që shfaqen brenda saj. Ai ka theksuar se fuqia e partisë nuk vjen nga pushteti, por nga vlerat që përbëjnë bazën e saj.
Në reagimin e tij, deputeti e ka cilësuar demokracinë si themelin e LDK-së, lirinë si shpirtin e saj dhe veprimin politik si misionin që ajo përfaqëson. Sipas tij, mbrojtja e palëkundur e së vërtetës përbën vetë arsyen e ekzistencës së kësaj partie.
Gashi ka bërë të ditur se angazhohet, beson dhe qëndron për një LDK të ndërtuar mbi këto parime.
Ai ka nënvizuar se pjesëmarrja e tij në politikë nuk synon mbrojtjen e interesave të përkohshme. Përkundrazi, siç është shprehur, synimi i tij është ndërtimi i një LDK-je më të fuqishme, më demokratike dhe më besnike ndaj idealit të vet.
Sipas Gashit, vetëm një LDK e tillë është në gjendje ta udhëheqë Kosovën drejt së ardhmes që meriton.
Në përmbyllje të postimit, ai ka ritheksuar përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj LDK-së dhe Kosovës.
