Festivali “Sunny Hill 2026” nis sot në fshatin Bërnicë të Komunës së Prishtinës dhe do të vijojë deri më 2 gusht. Për këtë ngjarje, Policia e Kosovës ka përgatitur një plan të posaçëm operativ për garantimin e sigurisë.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit zyrtar, masat janë përcaktuar duke pasur parasysh pjesëmarrjen e lartë dhe rrethanat specifike që shoqërojnë zhvillimin e festivalit.
Në zbatim të urdhrit operativ “Festivali Sunny Hill-2026”, në hapësirat ku do të mbahet aktiviteti janë caktuar një numër i konsiderueshëm zyrtarësh policorë, të cilët do të kryejnë detyra të përcaktuara. Në operacion do të përfshihen edhe njësi të tjera nga rajoni përkatës i përgjegjësisë.
Plani i sigurisë parashikon ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas përfundimit të festivalit, mbrojtjen e perimetrit të aktivitetit dhe vëzhgimin e situatës në terren. Policia do të marrë gjithashtu masa ligjore ndaj çdo personi që shkel ligjin.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe qarkullimit rrugor në zonën përreth. Në varësi të situatës, mund të zbatohen bllokime të përkohshme, devijime të trafikut dhe kufizime të caktuara.
Për të përballuar numrin e madh të automjeteve dhe vizitorëve, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë mirëkuptim. Po ashtu, është rekomanduar përdorimi i transportit të organizuar nga organizatorët, nga kryeqyteti drejt festivalit dhe në kthim.
Hyrja në zonën ku zhvillohet festivali do të jetë e mundur vetëm për automjetet e autorizuara dhe personat që disponojnë leje parkimi. Në pikat e përcaktuara, qytetarët do të marrin udhëzime nga zyrtarët policorë.
Policia e Kosovës thekson se masat synojnë zhvillimin e festivalit në kushte të qeta dhe të sigurta, ndërsa u ka kërkuar qytetarëve të bashkëpunojnë dhe të zbatojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë.
