Raporti më i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregon se 32 milionë njerëz me HIV në mbarë botën trajtohen, ndërsa 9 milionë të tjerë nuk përfitojnë ende nga terapia që mund t’u shpëtojë jetën. Në të njëjtën kohë, hepatitet virale shkaktojnë afërsisht 1.3 milionë vdekje çdo vit dhe disa vende po përballen me shtim të rasteve të infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
Të dhënat dëshmojnë se, krahasuar me vitin 2010, infektimet e reja me HIV janë reduktuar me 42%, kurse vdekshmëria e lidhur me AIDS-in ka shënuar një rënie prej 57%. Ndërkaq, nga viti 2015, rastet e hepatitit B janë pakësuar me 32% dhe vdekjet e shkaktuara nga hepatiti C janë ulur me 12%.
Të lidhura
None found
OBSH-ja paralajmëron se këto problematika kërcënojnë përmbushjen e synimit botëror për eliminimin e HIV-it, hepatiteve virale dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme deri në vitin 2030. Sipas organizatës, ecuria po frenohet nga reduktimi i financimeve, pabarazitë në marrjen e shërbimeve shëndetësore dhe situatat emergjente humanitare.
Pavarësisht rezultateve të arritura, OBSH-ja e konsideron ritmin e përparimit të pamjaftueshëm. Për këtë arsye, ajo u kërkon shteteve të fuqizojnë kujdesin shëndetësor parësor, të rrisin mundësitë për testim dhe trajtim dhe të financojnë shërbime të integruara, me qëllim realizimin e objektivave të përcaktuara për vitin 2030.
