Qeveria ka miratuar rregulla të reja për kontrollin, monitorimin dhe gjurmimin e karburanteve në të gjithë zinxhirin e furnizimit. Sipas vendimit, kompanitë që tregtojnë naftë dhe benzinë duhet të paguajnë një tarifë shënjimi prej 6.5 eurosh për 1 mijë litra, ose 0.75 lekë për litër së bashku me TVSH-në. Ky detyrim mund të reflektohet edhe në një rritje të çmimit në pompë.
Mbledhja e tarifës dhe markimi i lëndëve djegëse do të jenë përgjegjësi e shoqërisë “ALBTrace CO”. Pagesës do t’i nënshtrohen subjektet që importojnë, prodhojnë, rafinojnë, magazinojnë, transportojnë, shpërndajnë apo tregtojnë produktet e shënjimit, si dhe ato që zhvillojnë çdo veprimtari tjetër tregtare me to dhe kanë detyrimin të shlyejnë detyrimet përkatëse fiskale.
Të lidhura
None found
Kontrolli dhe mbikëqyrja do të kryhen nga Administrata Doganore. Për të verifikuar nëse karburantet plotësojnë kërkesat ligjore, institucioni do të përdorë laboratorë të lëvizshëm, sisteme monitorimi dhe analiza të realizuara në terren.
Zbatimi i regjimit të ri për shënjimin dhe monitorimin do të nisë pasi të përfundojë periudha e vënies në jetë të projektit të markimit të karburanteve, e cila mund të zgjasë deri në 6 muaj nga hyrja në fuqi e vendimit. Më parë, ky shërbim i ishte dhënë me koncesion një kompanie private për periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2024, kur përgjegjësia i kaloi Drejtorisë së Doganave.
