Evropa Qendrore është përfshirë nga një tjetër valë e të nxehtit, ndërsa parashikimet tregojnë se gjatë ditëve të ardhshme temperaturat mund të ngjiten deri në 41 gradë Celsius.
Të lidhura
None found
Kushtet ekstreme atmosferike kanë shtyrë autoritetet të përforcojnë masat emergjente për shkak të rrezikut nga zjarret, mungesës së ujit dhe ngarkesës së shtuar mbi rrjetet e energjisë.
Në Hungari, temperaturat pritet të arrijnë fillimisht deri në 39 gradë Celsius, sipas shërbimit meteorologjik, ndërsa brenda gjashtë ditëve të ardhshme ato mund të shkojnë në 40-41 gradë. Në të gjithë territorin e vendit është ndaluar ndezja e zjarreve në hapësira të hapura.
Për të parandaluar një krizë të mundshme energjetike, kryeministri hungarez Peter Magyar u ka kërkuar fabrikave që të reduktojnë në mënyrë vullnetare përdorimin e energjisë elektrike.
Në qytetin Szentendre, mijëra banorë kanë mbetur pa furnizim me ujë. Deri në rikthimin e situatës në normalitet, ushtria është angazhuar në shpërndarjen e ujit të pijshëm me dy cisterna dhe rreth 7 mijë qese me ujë, sipas autoriteteve.
Rënia e ndjeshme e nivelit të Danubit ka krijuar vështirësi edhe për centralin bërthamor Paks. Aktualisht, impianti funksionon me më pak se 50% të kapacitetit të tij prej dy gigavatësh, ndërsa mund të ndalojë përkohësisht punën nëse niveli i ujit vijon të ulet.
Alarmet për temperatura të larta janë vendosur në të gjithë Sllovakinë, ku rajonet jugperëndimore ndodhen në shkallën më të lartë të rrezikut. Gjatë fundjavës, temperaturat parashikohet të variojnë nga 34 deri në 39 gradë Celsius.
Më shumë se 30 pika ndihme janë hapur në kryeqytetin Bratislavë. Në këto ambiente, qytetarët mund të gjejnë ajër të kondicionuar, ujë të pijshëm dhe materiale higjienike, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar edhe për shtimin e mundësisë së zjarreve.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Slloveni. Agjencia Sllovene e Mjedisit, ARSO, e ka klasifikuar pjesën perëndimore të vendit në nivelin “jashtëzakonisht të lartë” të rrezikut nga zjarret, duke kufizuar njëkohësisht veprimtaritë që mund të shkaktojnë shpërthimin e tyre.
Për të parandaluar problemet nga deformimi i shinave për shkak të temperaturave të larta, operatori hekurudhor slloven ka urdhëruar që trenat të lëvizin me shpejtësi më të ulët në disa zona gjatë orëve më të nxehta.
Në brigjet sllovene të Adriatikut, uji i detit mund të tejkalojë temperaturën rekord prej 30.4 gradësh Celsius, të shënuar në vitin 2010.
Gjysma perëndimore e Rumanisë është vendosur nën alarme të verdha dhe portokalli, pasi temperaturat mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius. Meteorologët paralajmërojnë se gjatë ditëve të ardhshme niveli i alarmit mund të rritet.
Temperatura ekstreme po regjistrohen edhe në Austri. Në zonat lindore ato arrijnë 38-39 gradë Celsius, ndërsa në vende të caktuara mund të prekin 40 gradë. GeoSphere Austria bën të ditur se vala e të nxehtit po ndodh në një kohë kur vendi përballet me një thatësirë të cilësuar “ekstreme”.
Prej fillimit të vitit, sasia e reshjeve në Austri ka qenë afërsisht 30% më e ulët se mesatarja. Për pasojë, gjysma e parë e vitit 2026 renditet mes periudhave më të thata të dokumentuara që nga fillimi i shekullit të 20-të.
