Për të dytën ditë me radhë, autoritetet e Kosovës po kryejnë gërmime në Kalludër, në një zonë ku dyshohet se janë varrosur mbetjet mortore të 23 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Të lidhura
None found
Të martën, në vendin e operacionit qëndroi ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Sipas tij, lokalizimi i varrezës masive u bë i mundur pas angazhimit intensiv të institucioneve të sigurisë dhe bashkëpunimit të qytetarëve.
Sveçla tha se, krahas gërmimeve, po vijon edhe puna hetimore për identifikimin e viktimave dhe dërgimin para drejtësisë të personave përgjegjës. Ai theksoi se institucionet nuk do ta ndërpresin angazhimin derisa të gjendet trupi i personit të fundit të zhdukur.
Në lidhje me këtë rast, Prokuroria Speciale ka ndaluar për 48 orë dy persona me inicialet M.J. dhe M.B., nën dyshimin se mund të jenë të lidhur me çështjen.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ekshumimi po realizohet mbi bazën e një urdhri gjyqësor. Procesi po zhvillohet sipas standardeve profesionale dhe ndërkombëtare për identifikimin e mbetjeve mortore dhe sigurimin e provave materiale, me përfshirjen e institucioneve kompetente dhe ekspertëve të fushës.
Gërmimet janë pjesë e dy rasteve penale që po hetohen nga Prokuroria Speciale. Deri tani, autoritetet nuk kanë publikuar hollësi të tjera për identitetin e mbetjeve të gjetura ose për natyrën e çështjeve që janë nën hetim.
Ish-eprori i UÇK-së, Naim Miftari, ka deklaruar për “Bota sot” se varreza mund t’u përkasë shqiptarëve që gjatë luftës ishin nisur për të ikur drejt Malit të Zi. Ai tha se në këtë grup ishte vrarë edhe vëllai i Halit Beranit.
Sipas Miftarit, grupi përbëhej nga 25 persona dhe vetëm dy prej tyre kishin arritur të shpëtonin. Ngjarja, siç tha ai, kishte ndodhur në periudhën e bombardimeve të NATO-s, ndërsa pas përfundimit të luftës kishte dëgjuar se ZKZ-ja kishte zhvilluar hetime për rastin. Nëse bëhet fjalë për të njëjtën varrezë, ai vlerëson se në të duhet të ndodhen 22 ose 23 kufoma, por shtoi se nuk është i sigurt, ndonëse personat e këtij grupi janë të evidentuar me emra dhe mbiemra.
Ai tregoi se dy të mbijetuarit ishin një civil nga Kosterci, i cili i kishte prirë grupit, dhe Faruk Spahiu, që pas luftës u bë kryetar i LDK-së për Mitrovicën. Miftari tha se, si pjesëtari i tretë i ZKZ-së, e kishte marrë zyrtarisht në pyetje Spahiun pas luftës, por shpjegimet e tij nuk kishin qenë të qarta. Më pas, sipas tij, dikush e kishte detyruar Spahiun të deklaronte se po i bëhej presion vetëm për shkak të përkatësisë së tij në LDK, pretendim që Miftari e cilësoi të pavërtetë.
Miftari deklaroi gjithashtu se grupi me 23-24 persona ishte nisur drejt Malit të Zi dhe kishte paguar dy persona për t’i udhëhequr gjatë rrugës. Sipas tij, ata ranë në një pritë të rezervistëve serbo-malazezë, mes të cilëve kishte edhe persona të nacionalitetit boshnjak të veshur me uniforma serbe. Ai pretendon se pjesëtarët e grupit u pushkatuan nga ushtria dhe rezervistët serbë.

Duke folur më gjerësisht për rrethanat e asaj periudhe, ish-eprori tha se askush nuk e dëshiron të vërtetën. Ai kujtoi se, pas nisjes së bombardimeve, UÇK-ja kishte paralajmëruar qytetarët e arsimuar, mjekët, profesorët, aktivistët dhe humanistët në Mitrovicë e Vushtrri që të largoheshin drejt zonave të kontrolluara nga UÇK-ja dhe t’i bashkoheshin asaj, pasi Serbia, sipas tij, kishte planifikuar vrasjen e shqiptarëve të arsimuar dhe me integritet.
Sipas Miftarit, pjesa më e madhe e atyre që iu përgjigjën thirrjes dhe iu bashkuan UÇK-së janë ende gjallë dhe u bënë pjesëtarë të saj. Mes tyre ai përmendi doktor Bajram Rexhepin, i cili u rreshtua në Brigadën 142 dhe, në cilësinë e mjekut, shpëtoi dhjetëra e qindra jetë civilësh dhe ushtarësh. Më vonë, Rexhepi u zgjodh kryetar i Mitrovicës dhe kryeministër i Kosovës.
Ai solli në vëmendje edhe rastin e një mjeku me mbiemrin Berisha. Sipas tij, pjesëtarët e policisë ushtarake të qytetit të Mitrovicës e kishin njoftuar mjekun se duhej të largohej, pasi ndodhej në listën për vrasje dhe ishte objektiv i policisë serbe. Mjeku nuk e kishte dëgjuar thirrjen, ndoshta edhe për shkak të ndikimit politik, pasi ishte anëtar i LDK-së, sikurse shumica e Kosovës në atë kohë.
Miftari tha se mjeku Berisha u vra në Mitrovicë nga policia serbe një ose dy ditë më vonë. Sipas tij, njësia drejtohej nga një polic me emrin Ratko, mbiemrin e të cilit nuk e kujton. Ai shtoi se rasti është hetuar me emra dhe mbiemra, së bashku me dhjetëra policë të tjerë të dyshuar për vrasjen e civilëve shqiptarë në Mitrovicë dhe Vushtrri gjatë luftës.
Në rrëfimin e tij, Naim Miftari deklaroi se, si ish-luftëtar dhe epror i UÇK-së, kishte qëndruar me urdhër të komandës në Mitrovicë dhe rrethinë gjatë gjithë periudhës së bombardimeve. Ai tha se kishte marrë pjesë në mënyrë aktive në rezistencë dhe në luftime edhe brenda qytetit të Mitrovicës.
Miftari u shpreh se mban përgjegjësi morale dhe ligjore para shtetit dhe Zotit për çdo të dhënë dhe për çdo informacion që ka ofruar, përfshirë edhe disa informacione sekrete.
Ai përmendi komandantët Enver Oruqi, Frahman Rama, Ferki Aliu, Mensur Kosumi, Gani Imeri dhe Besim Zymberi si persona që, sipas tij, kanë dhënë kontribut në shpëtimin e shumë intelektualëve në Mitrovicë dhe Vushtrri.
Në përfundim, Miftari deklaroi se deri tani nuk ka ekzistuar vullnet politik, as nga ndërkombëtarët dhe as nga politikanët e pushtetarët vendorë, për t’i hetuar, zbardhur dhe ndëshkuar të gjitha krimet e kryera gjatë luftës, si dhe disa prej atyre të pasluftës. Sipas tij, të dhënat që do të mundësonin ndjekjen e këtyre rasteve kanë qenë të shumta.
