Carlo Ancelotti ka folur për arsyet që e shtynë të mos pranonte rikthimin në krye të kombëtares së Italisë, duke vendosur t’i qëndrojë besnik projektit të nisur me Brazilin.
Të lidhura
None found
Pas zhvillimeve të trazuara në drejtimin e përfaqësueses “Azzurre”, trajneri 67-vjeçar ishte ndër objektivat kryesorë të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC). Megjithatë, ai zgjodhi të vazhdonte detyrën si trajner i kombëtares braziliane.
Ish-tekniku i Real Madridit ishte përmendur gjerësisht si kandidati ideal për stolin e Italisë. Drejtori teknik i FIGC-së, Paolo Maldini, kishte bërë të ditur më herët se Ancelotti dhe Pep Guardiola përbënin alternativat kryesore për postin e lirë.
Bisedimet, sidoqoftë, përfunduan në mënyrë kaotike. Fillimisht u largua Maldini, ndërsa më pas Claudio Ranieri u emërua drejtor teknik dhe drejtimi i kombëtares italiane iu besua Roberto Mancinit.
Gjatë një interviste për ESPN me gazetarin Pedro Ivo Almeida, Ancelotti bëri të qartë se refuzimi i tij nuk lidhej as me kontratën dhe as me çështjet financiare.
“Nuk është çështje kontrate, kjo nuk është arsyeja. Është sepse kam një angazhim ndaj CBF-së dhe ndaj këtij vendi, sepse ky vend më ka mirëpritur jashtëzakonisht gjatë këtij viti të parë. Dua të qëndroj këtu”, deklaroi Ancelotti.
Tekniku italian shprehu gjithashtu mirënjohje ndaj FIGC-së për interesimin. Ai këmbënguli se vazhdimi i punës në Brazil ishte vendimi i duhur, duke marrë parasysh përkrahjen që ka gëzuar që prej marrjes së drejtimit të kombëtares braziliane.
“Sigurisht që falënderova Federatën Italiane, por dua të qëndroj këtu sepse besoj se është e drejtë dhe e ndershme të vazhdoj në një vend që më ka mirëpritur kaq ngrohtësisht dhe në një institucion që më ka dhënë mundësinë për të punuar”, shtoi ai.
