Malisheva dhe Ballkani do të zbresin sonte, të enjten, në fushë për ndeshjet vendimtare të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Të dyja klubet kosovare synojnë të sigurojnë vazhdimin në fazën pasuese të kompeticionit të tretë evropian për klube.
Të lidhura
None found
Ballkani do të tentojë të përmbysë humbjen 2-1 të pësuar në Irlandë kundër Bohemians. Goli i realizuar në udhëtim bën që gara për kualifikim të mbetet plotësisht e hapur për ish-kampionët e Kosovës.
Ndeshja e kthimit do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe do të nisë në orën 20:00. Ballkani shpreson ta rikuperojë disavantazhin duke u mbështetur te përkrahja e tifozëve dhe përvoja e krijuar në arenën evropiane.
Ndërkaq, Malisheva udhëton drejt Skocisë pasi fitoi 2-0 në përballjen e parë të zhvilluar në Prishtinë. Skuadra kosovare do të jetë mysafire e Hibernianit në stadiumin “Easter Road” në Edinburg, në takimin që fillon në orën 21:00.
Rezultati i sfidës së parë e ka afruar Malishevën me një kualifikim historik, por për ta zyrtarizuar atë duhet ta përballojë presionin e ndeshjes në fushën e klubit të njohur.
Malisheva kërkon të kompletojë një tjetër mbrëmje të madhe për futbollin kosovar, ndërsa dy përballjet e sotme mund të shënojnë një kapitull tjetër të rëndësishëm për klubet e Kosovës në Evropë.
