Heroi Tahir Sinani, komandant i UÇK-së që ra në luftën për çlirimin e Kosovës, u nderua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Përkujtimi vjen vetëm pak muaj pasi kreu i grupit parlamentar të PS-së në Shqipëri, Taulant Balla, e përdori në mënyrë të turpshme figurën e dëshmorit për të sulmuar protestën qytetare, e cila prej 2 muajsh rresht kërkon largimin e qeverisë Rama.
Ditën e djeshme në Prishtinë, u organizua Akademia Përkujtimore për 25-vjetorin e rënies së komandantit Tahir Sinani.
Të lidhura
None found
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se kjo ishte akademia e parë për të e zhvilluar nga institucionet e Kosovës, konkretisht nga qeveria.
Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoni, Kurti e përshkroi gjeneral Tahir Sinanin si një prej luftëtarëve më të dalluar të çështjes kombëtare.
Sipas tij, Sinani mori pjesë në disa nga betejat më të lavdishme të shqiptarëve në historinë moderne.
“Luftëtari i paepur i lirisë. Pasi të përfshihej edhe vetë ai në zemër të luftës. Por pavarësisht kësaj, ai refuzoi t’i mbivendosej zinxhirit komandues të ushtarëve që i kishte trajnuar vetë. Duke këmbëngulur që fillimisht ta kalonte një sprovë personale përballjen e parë me forcat armike serbe. Dhe mu kështu edhe ndodhi. Vite më pas kur Tahir Sinani nuk do të ishte më i gjallë mes bashkëluftëtarëve, njëri prej tyre, Rexhep Selimi, i mirënjohur edhe për kreativitetin e tij të shumanshëm artistik, do ta përkthente këtë akt të Tahir Sinanit në një poezi që do të kompozohej në një këngë e që natyrshëm e kemi përfshirë edhe sot në këtë akademi. Angazhimin e tij në luftën e Kosovës, Tahir Sinani e përmbylli duke qenë në detyrën e komandantit të Zonës Operative të Pashtrikut, teksa në ditët e çlirimit të Kosovës, ai hyri triumfalisht në Prizren në krye të ushtarëve të tij”, u shpreh Kurti, sipas KosovaPress.
Pak ditë më parë, në qershor 2026, Taulant Balla, në kuadër të sulmeve kundër protestuesve, e cilësoi komandantin e UÇK-së dhe Heroin e Kombit, Tahir Sinani, si një mercenar të paguar.
Deklarata e kreut të grupit parlamentar të PS-së shkaktoi reagime në Kosovë, ku u vlerësua si një akt paturpësie.
Në akademinë kushtuar 25-vjetorit të rënies së Tahir Sinanit mori fjalën edhe ish-bashkëluftëtari i tij, Sadik Halitjaha. Ai deklaroi se figura e Sinanit mund të vendoset përkrah heronjve epikë të kombit shqiptar.
“Ai ishte gjenetikisht stërnip i Mic Sokolit dhe ishte gjak shqiptari. Siç e thoshte edhe vetë: ‘Unë nuk munda të rri e të bëj sehir e të vriteshin vëllezërit e mi në Kosovë’. U përpoq të takojë njerëz nëpër qendrat e trajnimeve në veri të Shqipërisë dhe ra në kontakt me qendrën e furnizimeve të UÇK-së dhe me komandantin e përgjithshëm Azem Syla. Aty mori instruksionet dhe urdhrin për të hyrë në Kosovë. Në Kosovë hyri me një grup jo të madh shumë të ushtarëve që t’i krijojë një perimetër të sigurisë, por ai sigurinë e kishte në zemër dhe në shpirt, pasi e kishte automatikun në dorë. Hyri me Ruzhdi Kryeziun dhe disa shokë të tjerë me përvojë lufte”, deklaroi Halitjaha.
Tahir Sinani ishte pjesëmarrës në tri luftëra, të zhvilluara në Kosovë, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës.
