Beppe Marotta ka deklaruar se Interi nuk ka mundësi të përballet në aspektin financiar me klubet e Ligës Premier, pas një merkatoje të vështirë gjatë së cilës skuadra italiane humbi disa objektiva të rëndësishëm.
Të lidhura
None found
Gjatë turneut parasezonal të Interit në Australi, në një intervistë për “Globo TV”, presidenti zikaltër foli për hendekun ekonomik mes Serie A dhe futbollit anglez. Deklarata e tij erdhi pas transferimit të Marco Palestran te Chelsea, pavarësisht interesimit të Interit.
Klubi italian nuk arriti të finalizonte as marrëveshjen për Anan Khalailin, pasi lojtari nuk e kaloi kontrollin mjekësor përpara kalimit nga Union Saint-Gilloise.
Marotta kujtoi se gjatë viteve ’80 dhe ’90 Serie A konsiderohej kampionati kryesor i futbollit botëror, por sipas tij situata ekonomike ka ndryshuar ndjeshëm.
“Sot ekuilibri është zhvendosur dhe diferenca financiare shihet qartë. Nuk mund të përpiqemi ta zvogëlojmë këtë hendek duke shpenzuar shuma të çmendura parash”, u shpreh ai.
Sipas presidentit të Interit, klubi duhet të mbështetet te mënyra alternative për të ruajtur konkurrueshmërinë, në vend që të hyjë në një garë të pakufizuar shpenzimesh.
“Ne duhet të përgjigjemi përmes kreativitetit, kompetencës dhe motivimit. Bindja se triumfon gjithmonë ai që shpenzon më shumë bie ndesh me frymën e sportit”, tha Marotta.
Ai shtoi se suksesi duhet të ndërtohet përmes një grupi me vlera, duke nxjerrë maksimumin nga drejtuesit, trajnerët, stafi dhe futbollistët.
Interi e mbylli sezonin e kaluar me titullin e Serie A dhe Kupën e Italisë, ndërsa në Ligën e Kampionëve nuk arriti të kishte të njëjtin ndikim.
Megjithatë, Marotta bëri të qartë se ambiciet e klubit mbeten të pandryshuara.
“Pritshmëritë tona janë gjithmonë të njëjta. Interi merr pjesë në çdo kompeticion me synimin për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm”, deklaroi ai.
“Gjatë historisë, ky klub ka fituar shumë trofe dhe kjo e përshkruan më mirë se çdo deklaratë identitetin tonë. Jemi një klub që është mësuar të fitojë, por çdo sukses mbështetet te pasioni, puna e palodhur dhe ndjenja e përkatësisë”.
