Mesfushori i Dinamos, Klevi Qefalija, doli në konferencë për shtyp përpara sfidës së radhës, ku foli për përgatitjet dhe formën aktuale të ekipit.
“Tashmë e njohim më mirë kundërshtarin dhe e kemi studiuar. Përmes pamjeve filmike kemi analizuar ndeshjen e parë, për të kuptuar se ku duhet të përmirësohemi dhe cilat ishin gjërat që bëmë mirë në Slloveni. Na pret një përballje e vështirë, pasi nuk kemi përballë një kundërshtar të lehtë, por do të japim maksimumin për të marrë rezultatin më të mirë në këtë sfidë”, deklaroi Qefalija.
Të lidhura
None found
Ai theksoi se Dinamo ndodhet në një gjendje shumë të mirë psikologjike, sidomos pas eliminimit të një skuadre të fortë si Astana. Sipas mesfushorit, ekipi ruajti besimin te kualifikimi edhe pse e nisi nga disavantazhi i ndeshjes së parë dhe kishte pësuar gol atje.
Qefalija u shpreh se, megjithëse takimi në Slloveni përfundoi në barazim, Dinamo e pati lojën gjatë gjithë kohës nën kontroll dhe brenda skuadrës ekziston bindja se mund të sigurohet kalimi në fazën tjetër. Në lidhje me mungesat e përballjes së parë, ai nënvizoi se këta futbollistë janë pjesë e grupit, ndërsa veçoi Malomon, i cili ka qenë titullar në shumicën e ndeshjeve dhe pritet të japë kontributin e tij në objektivin për kualifikim.
