Arben Fetai, ish-zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë, konfirmoi sot se Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka caktuar në detyrën e të Dërguarit Special për Bashkimin Evropian, me seli në Bruksel, njofton Telegrafi Maqedoni.
Të lidhura
None found
Në reagimin e tij, Fetai e cilësoi këtë emërim si një nder të madh, por njëkohësisht edhe si përgjegjësi edhe më të madhe. Ai theksoi se do ta ushtrojë funksionin me punë dhe përkushtim, duke qenë i bindur se vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE dhe se shteti duhet të ketë një të ardhme evropiane.
Duke njoftuar nisjen e një kapitulli të ri në shërbim të integrimit evropian të vendit, Fetai bëri të ditur se vendimi për emërimin e tij u mor në seancën e djeshme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, detyra që i është besuar përfshin angazhimin për përparimin e procesit integrues të vendit drejt BE-së, fuqizimin e përkrahjes politike brenda institucioneve evropiane dhe në shtetet anëtare, si dhe kontributin për kapërcimin e sfidave politike e diplomatike. Ai synon gjithashtu që zëri i Maqedonisë së Veriut të dëgjohet më fuqishëm dhe të jetë më i pranishëm si në Bruksel, ashtu edhe në kryeqytetet evropiane.
Fetai deklaroi se e merr përsipër këtë funksion pas një karriere të gjatë në Bruksel dhe përvojës së fituar në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku, siç tha, ka dëshmuar angazhimin e tij ndaj perspektivës evropiane të vendit. Ai nënvizoi bindjen e plotë se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut ndodhet në BE.
Në fund, Fetai falënderoi Kryeministrin dhe Qeverinë për besimin e dhënë, duke theksuar se rrugëtimi drejt Brukselit vazhdon me vendosmëri, partneritet dhe besim të plotë në të ardhmen evropiane.
Kuvendi e miratoi dorëheqjen e Fetait në muajin qershor, ndërsa që prej asaj kohe ishte përfolur mundësia që ai të angazhohej në Bruksel. /Telegrafi
