Prej dy muajsh pa ndërprerje, qytetarët shqiptarë po ngrenë zërin në shenjë pakënaqësie ndaj kryeministrit Edi Rama, duke bërë thirrje për dorëheqjen e tij.
Në një bisedë për “News24”, gazetari Osman Stafa vuri në dukje vendosmërinë e protestuesve, të cilët synojnë të distancohen nga e gjithë klasa politike që ka qeverisur për 36 vite dhe që sipas tyre është burimi i vështirësive të përditshme të shqiptarëve.
Të lidhura
None found
“Qytetarët po binden gjithnjë e më shumë se politika shqiptare mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kushtet aktuale të jetesës. Kërkesa nuk kufizohet vetëm te largimi i kreut të qeverisë, por shtrihet në opozitë ndaj gjithë establishmentit politik 36-vjeçar”, theksoi ai.
Stafa tërhoqi vëmendjen edhe te zotimet e pambajtura të kryeministrit, duke përmendur si shembuj furnizimin e pandërprerë me ujë, procesin e legalizimeve dhe shërbimin shëndetësor pa pagesë.
“Në fund të çdo mandati të fituar, Rama organizon një mbledhje, vë në qendër të kritikave administratën apo ripërsërit disa premtime, por më pas gjithçka bie në harresë. Besa e një lideri politik materializohet në fjalën e dhënë. Ku mbeti uji i premtuar që në mandatin e hershëm, ç’ndodhi me legalizimet, ku është shëndetësia falas?… ‘Përbindëshi me tre koka’ po na gllabëron lumenjtë me ndërtimin e hidrocentraleve, ndërkohë që zonat e mbrojtura po dëmtohen pa kriter… Çfarë bese kërkon ai tani”?- përfundoi gazetari Stafa.
