Gjetja e një varreze masive në Zubin Potok ka sjellë sërish në plan të parë traumat e luftës dhe përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Të lidhura
None found
Lutfije Ademi Vokshi, e bija e një familjeje që pret prej vitesh lajme për një të afërm, ndan të njëjtin mendim. Ajo është motra e intelektualit Adem Ademi, për të cilin besohet se është një nga të zhdukurit e lidhur me këtë rast dhe deklaron me siguri absolute se mbetjet e atij grupi intelektualësh ndodhen në atë vendvarrim.
“Prej 25 vitesh ne jetojmë në ankth dhe në pritje. Duke parë vendndodhjen që po hetohet dhe rrethanat e asaj ngjarjeje, unë si familjare nuk kam asnjë dyshim. Edhe pse nuk ka ende një konfirmim zyrtar, jam plotësisht e bindur se ata janë pikërisht aty,” ka theksuar ajo.
Duke kujtuar figurën e vëllait, ajo e përshkroi atë si një kirurg që i ishte përkushtuar tërësisht profesionit dhe i shërbeu vendit në momente të vështira.
“Më forcon bindjen edhe mënyra se si ata u futën në atë zonë malore… Unë jam motra e doktorit dhe banoj në Prishtinë. Ditët para bombardimeve, takimet tona ishin bërë të rralla nga frika, por bisedat telefonike ishin të shpeshta. Ai shërbente në Shalë të Bajgorës, ishte mjeku kryesor i repartit të Kirurgjisë në brigadën 144. Gjatë luftimeve, vëllai im e ndante kohën mes punës në spital dhe detyrës në Shalë të Bajgorës, sipas ditëve të caktuara. Më pas, forcat e dhunshme e shpallën të papërshtatshëm për sallën e operimit, me pretekstin se pacientët refuzonin të operoheshin nga kushdo tjetër veç tij. Kam takuar shumë prej tyre dhe dëshmojnë se ai ishte një mjek që shëronte jo vetëm me kirurgji, por edhe me fjalën e tij,” tregoi ajo.
