Familja e veprimtarit të njohur Haki Imeri ka shpërthyer në akuza të forta ndaj drejtuesve aktualë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke kërkuar një riorientim rrënjësor të partisë. Në një deklaratë publike, ata kanë vënë në shënjestër kryetarin Lumir Abdixhiku dhe figura të tjera të larta, duke i konsideruar përgjegjës për rënien elektorale të LDK-së.
Të lidhura
None found
Sipas familjes Imeri, Abdixhiku duhej të kishte dorëzuar mandatin menjëherë pas disfatës së parë zgjedhore që e rrëzoi partinë në vendin e tretë. Ata pretendojnë se i njëjti grup që dikur e solli në kryesi është pikërisht ai që tani kërkon ta shkarkojë, duke e cilësuar si një strukturë që për dy dekada ka bashkëjetuar politikisht me PDK-në.
Deklarata thekson se LDK-ja nuk do të mund të rimëkëmbet kurrë për sa kohë që mbetet nën ndikimin e këtyre “klaneve servile” dhe grupeve të interesit që, sipas tyre, u shërbejnë PDK-së dhe SHIK-ut. Për të dalë nga kriza e thellë, familja Imeri propozon që partia të rikthehet te fryma e saj origjinale dhe të udhëhiqet nga njerëz që kanë kontribuar që nga themelimi, jo nga individë që nuk kanë dhënë asnjëherë ndihmesë për LDK-në.
Një tjetër objekt kritike është edhe Përparim Rama, të cilin e akuzojnë si një “eksponent të korruptuar dhe gënjeshtar patologjik”. Sipas reagimit, ai gëzon mbështetjen e Sami Lushtakut, një figurë e dënuar për krime të rënda, dhe nëse arrin të marrë drejtimin e LDK-së, partia do të zhytet edhe më thellë në margjinalizim politik.
Familja Imeri paralajmëron se zgjedhja e Perparim Ramës do të ishte katastrofike, duke theksuar se në Prishtinë ai u zgjodh me votat e PDK-së dhe se karakteri i tij, së bashku me përkrahjen e SHIK-ut dhe grupeve kriminale, synon pikërisht dobësimin e LDK-së. Si zgjidhje të vetme për të mbijetuar si faktor politik, ata shohin përfshirjen e partisë në institucionet e reja krahas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Guxo, duke paralajmëruar se eksperimentet e deritanishme janë bërë nga armiqtë e brendshëm të partisë.
Reagimi përmend gjithashtu se LDK-ja sot ndodhet në duart e atyre që dikur synonin eliminimin politik të Ibrahim Rugovës, teksa bashkëpunëtorët e tij vriteshin. Kjo lidhje historike shërben për të përforcuar thirrjen për një pastrim të thellë të strukturave partiake nga ndikimet që, sipas familjes Imeri, kanë minuar për vite të tëra trashëgiminë e vërtetë të LDK-së.
