Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka bërë të ditur se po ecin me ritëm të shtuar punimet në Parkun e Haraçinës, një iniciativë e cila synon t’i ofrojë komunitetit një zonë bashkëkohore për çlodhje dhe argëtim.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të tij, në këtë etapë të projektit po ngrihen zona e dedikuar për argëtimin e të vegjëlve, palestra në natyrë, fusha sportive, burimet dekorative me ujë, si dhe korridoret për shëtitje dhe lëvizje me biçikletë. Këto ndërhyrje, bashkë me elemente të tjera rekreative, synojnë ta kthejnë parkun në një mjedis funksional dhe të përshtatur me kohën.
Beqiri nënvizoi se ky investim është dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm të administratës lokale për të ngritur mirëqenien e qytetarëve dhe për të zgjeruar sipërfaqet e gjelbra në komunë.
“Transformimi i Haraçinës nuk vjen me premtime boshe, por me vepra konkrete. Ky është një tjetër hap drejt një komune më të sistemuar, më të gjelbëruar dhe estetike”, shprehet Beqiri në komunikatën e tij.
