Një analizë e re e tregut evropian tregon se hendeku i kostos mes automjeteve elektrike dhe atyre me motorë me djegie të brendshme po ngushtohet me ritme të shpejta, duke sjellë në horizont mundësinë e barazimit të çmimeve deri në vitin 2030.
Të lidhura
None found
Sipas një pune kërkimore të përbashkët të Institutit Fraunhofer për Kërkime në Sisteme dhe Inovacion (ISI) dhe Këshillit Ndërkombëtar për Transport të Pastër (ICCT), vlera reale e makinave elektrike të listuara në treg pësoi një rënie prej 18% gjatë periudhës 2020-2025, pas përshtatjes me treguesit e inflacionit.
Gjatë të njëjtit hark kohor, çmimet e përshtatura për inflacionin e modeleve me benzinë apo naftë shënuan një rritje modeste prej 2%, sipas gjetjeve të studimit. Kjo zhvendosje ka bërë që kostoja reale e lëvizjes për kilometër të anojë dukshëm në avantazh të makinave elektrike.
Duke komentuar pjekurinë në rritje të sektorit, Peter Mock nga ICCT theksoi: “Analiza jonë tregon se tregu i automjeteve elektrike ka evoluar në mënyrë domethënëse vitet e fundit. Modelet aktuale ofrojnë më tepër autonomji dhe performancë mesatarisht, ndërkohë që çmimi real i versioneve të krahasueshme ka pësuar rënie.”
Baza e këtij hulumtimi përfshiu mbi 100 mijë të dhëna individuale, të përftuara nga arkivat e ADAC, klubit më të madh gjerman të automobilistëve. Për të evituar një krahasim jo të saktë, ekspertët shmangën përllogaritjen e një mesatareje të thjeshtë të krejt ofertës, duke qenë se gama e modeleve elektrike është zgjeruar së tepërmi, sidomos në segmentin luksoz dhe atë premium.
Patrick Plötz, profesor pranë ISI, shpjegoi se një mesatare e përgjithshme do të ishte mashtruese, pasi rritja e ofertës në pjesën e sipërme të tregut ka tërhequr lart shifrën mesatare. “Do të ishte sikur të krahasoje mollët me dardha,” u shpreh ai. “Për këtë arsye, ne jemi fokusuar në ndjekjen e modeleve identike ose jashtëzakonisht të ngjashme me kalimin e kohës.” Duke aplikuar këtë metodologji, rezultoi se çmimet e listuara të modeleve elektrike mbetën relativisht të qëndrueshme, përkundrejt rritjes së atyre tradicionale.
Profesor Plötz parashikon gjithashtu një hapësirë të konsiderueshme për përmirësim të mëtejshëm në favor të elektrikëve. “Ulja e kostos së baterive ende nuk është reflektuar plotësisht te konsumatori,” vuri në dukje ai. “Gjithashtu, rritja e shkallës së prodhimit dhe presioni mbi kompanitë automobilistike për shkak të normave kufizuese të emetimeve të CO2 do të japin efektin e tyre.” Nëse trajektorja aktuale mbahet, deri rreth vitit 2030, blerja e një makine elektrike në Evropë mund të kushtojë njësoj si ajo e një modeli ekuivalent me motor tradicional.
“Për sa i përket shpenzimit total për kilometër, ato do të dilnin pa diskutim më të leverdisshme,” shtoi eksperti gjerman. Sipas tij, përvoja e tregjeve të tjera tregon se arritja e barazisë së çmimeve mund t’u sigurojë makinave elektrike gati 50% të kuotave të shitjeve. Edhe pse studimi u mbështet te çmimet e reklamuara e jo te vlera finale e transaksioneve, për shkak të pamundësisë për të siguruar këto të fundit në shkallë të gjerë, autorët vlerësojnë se nuk ka pasur shtrembërime të mëdha të rezultatit. Një tendencë rritëse e zbritjeve për modelet elektrike më të kërkuara, e raportuar nga eksperti i industrisë Ferdinand Dudenhöffer, sugjeron se dinamika reale e tregut është edhe më favorizuese për to.
