Alen Sherri ka tërhequr vëmendjen e klubeve të ndryshme gjatë kësaj merkatoje vere, falë paraqitjeve bindëse me fanellën e Kombëtares shqiptare në miqësoret kundër Izraelit dhe Luksemburgut.
Të lidhura
None found
Sipas informacioneve të siguruara nga “Newsport.al”, Amedspor, skuadra që sezonin e ardhshëm do të garojë në elitën e futbollit turk, ka shfaqur interesim konkret për 28-vjeçarin. Në krye të kësaj kërkese qëndron trajneri Besnik Hasi, i cili e konsideron Sherrin një përforcim të rëndësishëm për ekipin e tij. Megjithatë, drejtuesit e Cagliarit nuk kanë pranuar asnjë propozim për lojtarin.
Përveç ofertës nga Turqia, ish-portieri i Egnatias ka qenë në radar edhe të disa klubeve nga Danimarka dhe Austria. Pavarësisht kësaj, klubi italian i Serie A mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij për të mbajtur në skuadër një nga yjet e përfaqësueses shqiptare.
Një tjetër skenar që mund të ndikojë në të ardhmen e Sherrit është largimi i mundshëm i Elia Caprile nga Cagliari, çka do t’i hapte rrugë portierit shqiptar për më shumë hapësirë. Për këtë arsye, 28-vjeçari pritet të vlerësojë me kujdes situatën e Caprile përpara se të marrë në konsideratë ndonjë mundësi tjetër transferimi.
