Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka deklaruar se Serbia nuk e ka ndalur luftën hibride dhe propagandën e drejtuar kundër institucioneve të Kosovës.
Të lidhura
None found
Në një shkrim në Facebook, Islami iu referua deklaratës së Petar Petkoviqit, të cilin e quajti të ashtuquajturin drejtor të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë. Sipas tij, Petkoviq ka pretenduar se pjesëtarët e Policisë së Kosovës kërkonin krijimin e një “Gazimestani të ri” dhe se kishin për qëllim të nxisnin tensione gjatë kremtimit të festës në Manastirin e Kryeëngjëllit të Shenjtë në Prizren.
Islami vlerësoi se ky pretendim përbën një tjetër episod të diskursit të zakonshëm të Beogradit, përmes të cilit institucionet e Kosovës akuzohen se ushtrojnë “presion sistematik” mbi komunitetin serb dhe se u shkelin të drejtat fetare, civile e mediale. Ai shtoi se shteti serb nuk e ka ndarë asnjëherë pushtetin nga kisha, por e ka përdorur hapur atë për interesa politike.
Sipas analistit, me skenarë të tillë Beogradi synon ta përforcojë pretendimin e pavërtetë se serbëve në Kosovë po u kufizohen liritë. Në të njëjtën kohë, organizimi i qetë i ceremonive fetare paraqitet prej tij si provë e “unitetit dhe qëndrueshmërisë” së komunitetit serb.
Islami theksoi se realiteti është tërësisht tjetër, pasi Policia e Kosovës angazhohet çdo ditë për rendin dhe zbatimin e ligjit, si dhe për mbrojtjen e jetës dhe të pronës së secilit qytetar të Republikës së Kosovës, pa bërë dallime.
Ai tha se kohët e fundit është vërejtur një bashkërendim dhe sinkronizim i dukshëm i deklaratave agresive kundër Kosovës nga udhëheqësit serbë, mes të cilëve përmendi Paunoviqin, Vuçiqin dhe Petkoviqin. Sipas Islamit, kjo përbën luftën hibride të Serbisë, e cila kërkon të fitojë terren, të zhvillojë propagandë para faktorit ndërkombëtar dhe të paraqitet si viktimë. Megjithatë, ai nënvizoi se fuqia dhe stabiliteti i Kosovës në fushën e sigurisë vazhdojnë të jenë të palëkundura.
