“Doja të ndihmoja, por disa kishin vdekur”, flet pasagjeri që ishte në gjumë gjatë aksidentit tragjik (FOTO LAJM)

10 qytetarë kosovarë nuk mundën dot të shkonin në vendlindje pas aksidentit tragjik të ndodhur ditën e djeshme në autostradën Sllavonski Brod në Kroaci, ndërsa dëshmitë rrëqethëse nga ky aksident i tmerrshëm vijojnë ende.

Disa prej udhëtarëve të plagosur lehtë dolën nga spitali, ndërsa të tjerë të lënduar rëndë ndodhen ende nën kujdesin e mjekëve.

Drilon Muji, një prej pasagjerëve ka folur për mediat, duke treguar momentet e tmerrshme që përjetoi gjatë përplasjes.

Ai shprehet se shkoi në Gjermani për të vizituar babin e tij. Kur ndodhi aksidenti ai ishte në gjumë dhe u zgjua nga goditja e britmat e pasagjerëve të tjerë.

“Kur hapa sytë, pashë që dikush theu xhamin e autobusit dhe doli përmes tij, kështu që unë e ndoqa instinktivisht. Kur dola, mendova se kjo nuk ishte një ëndërr. Fillova të ndihmoj njerëzit, disa u plagosën, disa me dëmtime më serioze, disa kishin vdekur”, tha Muji.

Aksidenti i rëndë me 10 viktima dhe 45 të plagosur ndodhi rreth orës 06:20 të mëngjesit, ndërsa autobusi me targa të Kosovës vinte nga Frankfurti, Gjermani, drejt Prishtinës, ndërsa në bord kishte 67 pasagjerë dhe dy shoferë, ku njëri humbi jetën në aksident.


Shtuar 26.07.2021 22:10