Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka shprehur shqetësim të thellë për mënyrën sesi u trajtuan protestuesit gjatë demonstratës së djeshme përpara Parlamentit, ku pati përplasje dhe ndërhyrje të policisë. Përmes një njoftimi zyrtar, organizata kërkon respektim rigoroz të garancive ligjore lidhur me shoqërimin, arrestimin në flagrancë dhe përdorimin e substancave kimike.
Përfaqësues të KShH-së kryen një mision vëzhgimi në Komisariatin e Policisë nr. 1 më 23 korrik dhe në Bllokun e Sigurisë “Mine Peza” sot, për të kontrolluar respektimin e procedurave ndaj qytetarëve të ndaluar. Sipas dëshmive të mbledhura nga vetë protestuesit, shumë prej tyre u shoqëruan teksa qëndronin në trotuar, pa penguar trafikun, pa tentuar të kalonin gardhin metalik dhe pa ushtruar asnjë lloj dhune mbi efektivët. Ata pohuan se nuk iu dha asnjë shpjegim për arsyen e shoqërimit dhe se u vunë prangat gjatë rrugës për në komisariat. Dy prej tyre ngritën pretendime për sjellje poshtëruese gjatë transportit me makinën e policisë.
Të lidhura
None found
Gjatë inspektimit të regjistrit të personave të shoqëruar, KShH vuri re se arsyet e ndalimit ishin të përgjithshme, të tilla si “veprime të dhunshme” apo “veprime të kundërligjshme në protestë”, pa u specifikuar shkaku i saktë ligjor, siç e kërkon neni 19/1 i Ligjit nr. 82/2024. Në një rast, madje u konstatua tejkalim i kufirit maksimal kohor të shoqërimit, të përcaktuar nga neni 19/2 i po këtij ligji.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me paqartësinë e statusit të të ndaluarve. Sipas dokumentacionit dhe deklaratave të oficerëve të policisë gjyqësore, të njëjtët persona trajtoheshin njëkohësisht si të shoqëruar, si persona nën hetim ose të arrestuar në flagrancë. KShH thekson se masa e përkohshme e shoqërimit, që zgjat deri në 5 orë, duhet të përdoret si alternativë e fundit dhe jo si një fazë paraprake e arrestimit penal. Marrja në pyetje e këtyre shtetasve gjatë periudhës së shoqërimit, sikur të ishin persona me dijeni për veprën penale, bie ndesh me garancitë e Ligjit nr. 82/2024 dhe me nenin 295 të Kodit të Procedurës Penale.
Rëndësi të veçantë merr rasti i dy protestuesve, një gruaje dhe një burri me inicialet A.I. dhe O.P., të cilët u arrestuan në flagrancë brenda ambienteve të komisariatit, pas largimit të vëzhguesve. Sipas procesverbalit, arrestimi i O.P. ndodhi 6 orë e gjysmë pas shoqërimit, ndërsa ai i A.I. 5 orë e gjysmë më pas, duke shkelur hapur afatin ligjor 5-orësh. Ata akuzohen për katër vepra penale, përfshirë goditjen e punonjësve të policisë me lëndë piroteknike në bashkëpunim. Të dy mohuan të njiheshin me njëri-tjetrin dhe të kishin kryer akte të dhunshme. A.I., nënë e një fëmije të mitur, dhe O.P., baba i gjashtë fëmijëve, më i vogli 3 vjeç, kërkuan verifikimin e menjëhershëm të pamjeve nga kamerat e sigurisë publike dhe ato trupore të policisë. KShH e cilëson të paligjshëm arrestimin e tyre, duke theksuar se kushtet e flagrancës nuk plotësohen dhe se gjykata duhet të vlerësojë menjëherë masën, për shkak të ndikimit të pariparueshëm në jetën e tyre private dhe familjare.
Monitorimi nxori në pah edhe pretendime për përdorim të tepruar dhe të paparalajmëruar të sprajit me piper. Disa protestues raportuan djegie të rënda, ndërsa pamjet mediatike tregojnë se efektet e tij prekën edhe grupe vulnerabël, përfshirë një grua dhe një fëmijë me aftësi të kufizuara. Këto rrethana kërkojnë një hetim të pavarur për të parë nëse u respektuan parimet e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit.
Një tjetër episod i rëndë përfshin shoqërimin e gazetares së Citizens.al, e cila ndodhej në krye të detyrës. Pavarësisht se e identifikoi veten dhe mbante pajisje filmimi, ajo u dërgua në komisariat pa u verifikuar në vend identiteti i saj, duke i shkaktuar privim të panevojshëm të lirisë. Më tej, asaj iu kërkua të jepte informacion për burimet, një veprim në kundërshtim me të drejtën e gazetarit për të mbrojtur burimin e informacionit.
Po ashtu, u evidentua rasti i një protestueseje të re me iniciale J.A., e cila pretendon se u shoqërua thjesht sepse po filmonte protestën. Ajo dhe dy gra të tjera pohuan se në komisariat iu bë presion për të fshirë pamjet nga telefonat celularë. Nëse këto pohime vërtetohen, ato përbëjnë një cënim të rëndë të lirisë së shprehjes dhe të drejtës për të dokumentuar veprimtarinë e institucioneve publike.
Gjatë vizitës në Komisariatin nr. 1, KShH konstatoi kushte të dobëta higjieno-sanitare për personat e shoqëruar dhe mungesë të stafit të mjaftueshëm të oficerëve të policisë gjyqësore për të përballuar numrin e lartë prej rreth 20 të shoqëruarish deri në orën 17:00. Kjo situatë e rënduar psikologjike rrit rrezikun e shkeljes së afateve dhe të drejtave procedurale.
KShH mori gjithashtu informacion se pesë punonjës policie mbetën të plagosur gjatë protestës dhe se po hetohen raste të hedhjes së lëndëve piroteknike ndaj tyre. Organizata rikonfirmon se çdo akt dhune ndaj efektivëve është i papranueshëm dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë.
Në përfundim, Komiteti i Helsinkit i drejtohet Policisë së Shtetit, Autoritetit për Mbikëqyrjen Policore, Prokurorisë dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me një sërë kërkesash. Ato përfshijnë verifikimin e menjëhershëm dhe pa vonesa të ligjshmërisë së çdo shoqërimi e arrestimi; hetimin e pavarur të pretendimeve për përdorim joproporcional të forcës dhe presionit ndaj të shoqëruarve; garantimin e respektimit të afateve ligjore; respektimin e të drejtës së gazetarëve dhe qytetarëve për të dokumentuar ngjarjet me interes publik; dhe zhvillimin e një hetimi të paanshëm e transparent për dhunën e ushtruar ndaj policisë, si dhe atë prej tyre.
Duke vënë theksin te detyrimet që rrjedhin nga neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, KShH kujton se pretendimet për keqtrajtim i ngarkojnë autoritetet me barrën e provës për të dhënë shpjegime bindëse mbi origjinën e dëmtimeve. Për këtë arsye, rekomandohet fuqimisht që kamerat trupore të punonjësve të policisë të qëndrojnë të aktivizuara pa ndërprerje gjatë gjithë ndërhyrjes, përfshirë momentet e përdorimit të lëndëve kimike, shoqërimit dhe transportit të qytetarëve.
