Njëkohësisht, dy kontinente në hemisferën perëndimore po përballen me kushte të ashpra atmosferike. Në Shtetet e Bashkuara, tornadot dhe shtrëngatat e fuqishme kanë mbërthyer disa rajone, teksa Kili po lufton me pasojat tragjike të reshjeve të rrëmbyeshme.
Të lidhura
None found
Një front i gjerë i motit të keq ka përfshirë paralelisht veriun dhe jugun e kontinentit amerikan, duke sjellë erëra të furishme, tornado, rrebeshe dhe vërshime që kanë vënë në gatishmëri të plotë strukturat e emergjencës.
Mbi 116 milionë qytetarë në SHBA ndodhen në zonat e kërcënuara nga stuhitë e dhunshme, të cilat parashikohet të gjenerojnë tornado, erëra me fuqi shkatërruese, breshër me përmasa të konsiderueshme dhe përmbytje të befta. Shtetet më të rrezikuara përfshijnë Nju Jorkun, Pensilvaninë, Nju Xhersin dhe të gjithë brezin e Atlantikut të Mesëm, si dhe zonat verilindore e lindore të vendit.
Sipas njoftimeve zyrtare, shpejtësia e erës mund të kalojë 110 km/orë, ndërsa sasia e madhe e shiut e rrit në mënyrë alarmante probabilitetin e vërshimeve. Shërbimi Kombëtar i Motit raportoi gjithashtu formimin e një tornadoje të nivelit EF-1 në shtetin e Nju Jorkut, me erëra që prekën shifrën e 153 km/orë. Si pasojë, u regjistruan dëme të shumta në vegjetacion, rrjetin elektrik dhe struktura të ndryshme ndërtimore.
Në anën tjetër të hemisferës, Kili po kalon një ndër tragjeditë natyrore më të rënda të historisë së tij të afërt. Reshjet e pandërprera, të nxitura nga dukuria klimatike El Niño, u kanë marrë jetën të paktën 10 personave. Rreth 100 mijë njerëz mbetën të bllokuar nga uji, mijëra të tjerë janë zhvendosur me forcë nga banesat e tyre dhe dhjetëra mijëra familje po vuajnë mungesën e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm.
Përballë kësaj situate kritike, ekzekutivi kilian ka deklaruar gjendjen e emergjencës në disa prej rajoneve më të goditura të vendit.
