Në seancën e jashtëzakonshme të zhvilluar sot, Qeveria miratoi vendimin që përcakton llojin e energensave, afatin kohor dhe metodën e përllogaritjes së akcizës. Ky vendim mundëson zvogëlimin e akcizës për derivatet e naftës dhe, rrjedhimisht, uljen e çmimeve të benzinës dhe dizelit. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, përmes një postimi në profilin e saj në Facebook.
Të lidhura
None found
Sipas ministres së Financave, Qeveria po vijon të veprojë në mënyrë proaktive për t’u përballur me pasojat e krizës në Lindjen e Mesme. “Po e ndjekim me vëmendje situatën dhe po reagojmë në kohën e duhur, me synimin për të mbrojtur ekonominë dhe standardin e jetesës së qytetarëve”, deklaroi ajo në postim.
Dimitrieska-Koçoska vlerësoi se ndërhyrja në nivelin e akcizës do të ndihmojë në stabilizimin e çmimeve të derivateve të naftës, ndërsa në mënyrë të tërthortë do të ndikojë edhe në ruajtjen e qëndrueshmërisë së çmimeve të tjera.
“Edhe gjatë periudhës së ardhshme do ta ndjekim këtë qasje të përgjegjshme. Do ta vëzhgojmë situatën dhe do të ndërmarrim në kohë masa konkrete dhe reale për mbështetjen e ekonomisë dhe qytetarëve, me qëllim mbrojtjen e standardit të jetesës dhe ruajtjen e ekonomisë, e cila që nga fillimi i mandatit tonë po shënon një trend të rritjes së shpejtë”, theksoi ministrja.
